Kronikë
Tragjedia në Pejë: Kërkohet llogaridhënie e plotë për të gjithë zinxhirin institucional në rastin e Arlinda Zekajt
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nisjen e hetimeve të thella ndaj çdo institucioni të përfshirë në rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Pejë, duke përfshirë këtu Qendrën për Punë Sociale, Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat.
Gjatë një paraqitjeje në media, Haxhiu theksoi se është jetike që të zbulohen emrat e zyrtarëve specifikë që kanë shfaqur neglizhencë ndaj apeleve të vazhdueshme të viktimës për ndihmë dhe mbrojtje, duke përkujtuar se vetë ajo kishte paralajmëruar rrezikun fatal që i kanosej.
"Dhe në këtë drejtim unë edhe sot, por jo vetëm, gjatë gjithë kësaj kohe e me theks gjatë gjithë këtyre ditëve kam kërkuar që të gjithë zyrtarët përgjegjës, nga Qendra për Punë Sociale, që mund të konsiderojmë që është dera e parë ku një person që ka nevojë i drejtohet institucionit, tek policia, tek prokurorija, tek gjykatat, pra i gjithë zinxhiri institucional duhet të hetohet për ta pasur parasysh që ku nuk ka funksionuar, kush janë ata emra të përveçëm të zyrtarëve", u shpreh ajo.
Sipas saj, personat zyrtarë kanë obligim ligjor të veprojnë dhe duhet të mbahen përgjegjës për mosveprimin e tyre në mbrojtje të jetës së Zekajt, e cila kishte ngritur alarmin për kanosjet serioze që i kishin paraprirë krimit.
"Pra kush janë ata emra dhe mbiemra të cilët kishin neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt, kërkesave për ndihmë dhe për veprim institucional për mbrojtjen e jetës së saj. Dhe ka pasur paralajmërime shumë serioze deri edhe në vrasjen e saj, pra vetë viktima kishte paralajmëruar vrasjen e saj", shtoi Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi këtë ngjarje si një tregues të qartë të mentalitetit patriarkal, i cili fatkeqësisht vazhdon të jetë i rrënjosur brenda vetë strukturave shtetërore të Kosovës.
Ajo shprehu mbështetjen e saj për reagimet dhe protestat e qytetarët, duke i cilësuar ato si të arsyeshme dhe të domosdoshme, ndërsa theksoi se pakënaqësitë duhet të adresohen te institucionet kompetente.
Lidhur me masat e deritanishme, ajo përmendi pezullimin e 11 zyrtarëve policorë, dorëheqjen e drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, si dhe suspendimin e kryeprokurorit të Pejës dhe zëvendëses së tij, por vuri në dukje mungesën e veprimeve nga Komuna e Pejës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
"Por pra sot e kësaj dite nuk kemi veprime ndaj këtyre personave. Apo tek aspekti i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Për sa kohë Këshilli Prokurorial i Kosovës paska bërë suspendime, ku është Këshilli Gjyqësor i Kosovës sot?", deklaroi ajo.
Haxhiu bëri të ditur se Kuvendi ka ndërmarrë hapa konkretë përmes themelimit të një komisioni hetimor për të analizuar lëshimet institucionale.
"Prandaj edhe kemi vlerësuar që një seancë e tillë, nga e cila nxirret një komision hetimor, është shumë e rëndësishme, për shkak se kjo edhe do të dëshmojë se kush janë zyrtarët përgjegjës që nuk e kanë kryer detyrën, raporti do t’i përcillet prokurorisë speciale, por po ashtu edhe do të shërbejë si parandalim, që në të ardhmen në Republikën e Kosovës të mos ketë zyrtarë që e vendosin në diskrecionin e tyre nëse duhet ta kryejnë detyrën apo jo", përfundoi ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: