Shala: Ndërmarrja "Eko Regjioni" në Prizren s'ka asnjë problem me komunën
Publikuar më: 20-05-2025 18:47
Kryeshefi i “Eko Regjioni”, Burim Shala, ka thënë se ndërmarrja nuk ka asnjë problem me Komunën e Prizrenit.
Shala ka thënë se janë 504 punëtorë në ndërmarrje, e operon në Prizren, Suharekë, Malishevë, Dragash e Rahovec. Mbi 64 për qind të aksioneve i ka Komuna e Prizrenit.
“Kompania nuk ka asnjë problem sa i përket inkasimit, pasi atë e bën Komuna e Prizrenit. Bisedat që bëjmë me drejtorin e shërbimeve publike, por edhe kryetarin, ata tregojnë se edhe 600 mijë euro në vit nuk arrihen të inkasohen. Por, ato i mbeten komunës e jo kompanisë. Probleme të tilla nuk kemi. Bashkëpunimi është shumë i mirë, si me kryetarin, ashtu edhe me drejtorin e shërbimeve publike...Komuna ka arritur ta shohë kompaninë ‘Eko Regjioni’ si drejtori brenda për brenda komunës”, ka thënë Shala në “Konfront” të KTV-së.
Reçica: Dëmet e Komunës së Prishtinës ndaj "Pastrimit", të pariparueshme
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka thënë se Komuna e Prishtinës i ka shkaktuar dëme të rënda financiare ndërmarrjes “Pastrimi”. Ai ka thënë se një pjesë në administratë është prapa me paga, e se punëtorët e operativës i kanë marrë me kohë por me vështirësi.
“Gjendja e rënduar financiarisht sot ka ardhur si rezultat i shumë veprimeve dhe po tentohet të krijohet kinse sot u bë një problem dhe ‘Pastrimi’ e ndali punën për shkak të narrativës që po tentohet të ngritet në nivel politik e që nuk ka të bëjë fare sepse problemi qëndron direkt në Komunë. Veprimet e fundit të tyre kanë krijuar dëme të pariparueshme financiare dhe dëme jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë ai në “Konfront”.
Reçica ka theksuar se Komuna e ka dëmtuar sidomos ndërmarrjen me angazhimin e operatorëve privatë.
“Prej vitit 2024 kur kanë angazhuar operatorët privatë ka filluar të dëmtohet financiarisht ndërmarrja jonë. Mbi 3.5 milionë euro kemi borxhe dhe dëm financiare. E para është paguar operatori privat nga paratë tona. Vetë komuna negocion, vetë e kontrakton dhe negocion në formë të mbyllur...”, ka thënë tutje ai.
🔙 Kthehu