Kurti: Do t’i kemi 61 vota për formimin e Qeverisë, por paraprakisht na duhet Kuvendi

Publikuar më: 20-05-2025 18:32
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i bindur se do t’i sigurojë 61 vota të nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por theksoi se hapi i parë dhe i domosdoshëm është konstituimi i Kuvendit të Kosovës, për të cilin nuk po mund të sigurojë votat. Në një intervistë për RTK-në të martën mbrëma, Kurti ka thënë se mandati i kaluar është përmbyllur me sukses dhe për herë të parë në mënyrë të plotë. Ai përmendi arritjet e qeverisë që ka udhëhequr, duke theksuar “sovranitetin më të madh shtetëror, integrimin territorial, rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies sociale”. “E kemi përfunduar një mandat për herë të parë në tërësi. I kemi synuar 500 mijë vota, kemi arritur rreth 400 mijë, një rezultat i mirë”, ka thënë Kurti. Ai theksoi se kishin pritur që të konstituohet më shpejt Kuvendi pasi e kanë propozuar “gruan më të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit”. “Propozimi për kryetare të Kuvendit është Albulena Haxhiu. Ajo ka marrë mbi 125 mijë vota dhe është gruaja më e votuar në zgjedhje”, u shpreh Kurti, duke mos dhënë shenja se mund ta ndërrojë emrin e saj, siç po kërkojë disa parti të ish-opozitës. “Provuam disa herë votimin, por nuk arritëm të sigurojmë 61 vota. Kërkuam edhe zgjidhje nga presidentja. Jemi në një situatë kur 10 herë është refuzuar formimi i një komisioni për votim të fshehtë”, ka thënë ai, duke shtuar se opozita po e bllokon procesin dhe po shkel Kushtetutën duke refuzuar të marrë pjesë në votim. Siç tregoi kryeministri në detyrë, partive të ish-opozitës u ka kërkuar të mos ia imponojnë njëri-tjetrit për propozimin për kryetar dhe nënkryetarë të Kuvendit. “Në momentin që konstituohet Kuvendi, unë si kryeministër në detyrë dhe si lider i partisë fituese, do t’i kem 61 vota për krijimin e Qeverisë,” përfundoi Kurti. Nesër do të jetë përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit. Të gjitha lajmet nga konstituimi i Kuvendit
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu