Politikë
Ndryshime në kabinet: Edi Rama cakton ish-kandidaten e Vetëvendosjes, Vlera Gjakova, këshilltare për mediat
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama ka zyrtarizuar emërimin e Vlera Gjakovës në postin e këshilltares për çështjet e medias, një profil që në rrjetin profesional LinkedIn e prezanton veten si stratege të fushës së komunikimit.
Gjakova, e cila ka qenë shpesh e pranishme në debatet publike për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri, ka lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka kaluar një periudhë të gjatë jetese në Kosovë. Ajo iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit tetë vite më parë dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 garoi si kandidate për deputete nën këtë sigël politik, një fakt që ajo vetë e ka bërë publik në rrjetet sociale.
Procesi i emërimit të saj ka marrë trajtë zyrtare dy javë më parë, përmes një njoftimi të përcjellë me e-mail nga sekretarja e përgjithshme e Kryeministrisë, Vilma Guri, drejtuar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Në këtë shkresë kërkohet që këshilltarët e medias të çdo dikasteri qeveritar të zhvillojnë takime pune me zonjën Gjakova për të harmonizuar strategjitë e komunikimit.
Pavarësisht së kaluarës së saj politike si anëtare dhe kandidate e Vetëvendosjes, Vlera Gjakova ka spikatur edhe për kritika të ashpra ndaj Albin Kurtit. Ajo e ka fajësuar kreun e qeverisë së Kosovës se kriza e gjatë politike nuk ishte thjesht pasojë e një dështimi, por mund të përbënte pjesë të një plani të llogaritur për forcimin e pushtetit. Këto qëndrime morën dhenë më 25 nëntor 2025, kur një mesazh i saj drejtuar gazetarit Arian Çani u bë publik gjatë transmetimit të emisionit "Zonë e Lirë" në MCN TV.
Në biografinë e saj profesionale në LinkedIn, Gjakova rendit një përvojë 18-vjeçare në fushën e strategjive mediatike dhe marrëdhënieve me publikun, ndërsa identifikohet edhe si eksperte e energjisë së rinovueshme dhe publiciste.
Sa i përket formimit akademik, burimet e hapura tregojnë se ajo posedon një master për Filozofi dhe Psikanalizë nga Qendra Kërkimore për Filozofinë Greke, si dhe një master të dytë për Metafizikë, Epistemologji, si dhe Filozofi Morale e Politike nga Universiteti Aristotel i Selanikut në Greqi. Studimet e saj universitare Bachelor janë përqendruar në Komunikim dhe Gazetari pranë Institutit Maqedonas për Media (MIM), ndërsa ka ndjekur gjithashtu degën e Ekonomisë dhe Tregtisë Ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së saj, Gjakova ka operuar si stratege komunikimi dhe eksperte e energjisë së gjelbër, me theks te qytetet e zgjuara dhe ekosistemet digjitale. Ajo ka mbajtur pozicionin e zëdhënëses dhe përgjegjëses së PR-it për "EVN Maqedoni", ndërsa bashkëpunimet e saj përfshijnë institucione dhe organizata si Komuna e Çairit, OJQ-ja VEPRO! (ACT), "Coca-Cola Ltd Kosovo" dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN).
Krahas angazhimit institucional, ajo është aktive si publiciste, feministe dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut e civile. Ajo ka kontribuar rregullisht në media dhe ka botuar shkrime analitike në platforma të njohura, siç është Observatori Evropian i Gazetarisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: