Aktuale
Sulmi kibernetik ndaj Binance: Bursa rikuperon 90 për qind të fondeve dhe garanton se përdoruesit nuk do të humbasin asnjë cent
Reklamë e Sponsorizuar
Platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave, Binance, ka bërë të ditur se ka arritur të kthejë mbrapsht 90 për qind të pasurive të grabitura gjatë një sulmi të rëndë kibernetik që ndodhi të enjten.
Gjatë këtij incidenti, keqbërësit arritën të nxirrnin jashtë sistemit kriptomonedha në vlerë prej rreth 6,3 miliardë dollarësh, megjithatë drejtuesit e kompanisë kanë dhënë garanci të plota se klientët e tyre nuk do të pësojnë asnjë dëm financiar.
Për të mbuluar boshllëkun e krijuar, Binance vuri në dispozicion mbi 6,34 miliardë dollarë nga burimet e veta. Nëse ditën e premtje kompania kishte siguruar rreth 80 për qind të aseteve të humbura, kjo shifër është ngjitur tashmë në 90 për qind.
Sipas shpjegimeve të dhëna nga platforma, 10 përqindëshi i mbetur përbëhet nga moneda dixhitale që kanë vëllime më të ulëta tregtimi, gjë që e vështirëson sigurimin e tyre të menjëhershëm në sasitë e duhura.
Për t'i siguruar këto asete, kompania po vazhdon t'i blejë ato si në tregun e hapur, ashtu edhe përmes marrëveshjeve direkte me lojtarë të tjerë të tregut financiar.
Binance ka theksuar se do t'i vijojë këto blerje derisa të arrihet mbulimi total i të gjitha valutave të prekura nga ndërhyrja e paligjshme. Gjithashtu, u bë e qartë se e gjithë barra financiare do të mbahet nga vetë kompania dhe jo nga përdoruesit.
Për të kompensuar dëmet, ndërmarrja po shfrytëzon gjithashtu "Fondin e Aseteve të Sigurta për Përdoruesit" (SAFU), një rezervë prej rreth një miliard dollarësh e ngritur enkas për mbrojtjen e klientëve ndaj shkeljeve të sigurisë.
Krahas këtij fondi, po përdoren edhe rezerva korporative dhe një pjesë e fondit të sigurimit për kontratat e së ardhmes (futures). Për më tepër, Binance ka njoftuar angazhimin për të rimbushur fondin SAFU, duke e rikthyer vlerën e tij në kufirin e një miliard dollarëve.
Bashkë-drejtori ekzekutiv i Binance, Richard Teng, deklaroi një dit më parë se ngjarja përfshinte një sulm kibernetik tejet të sofistikuar. Hetimet e deritanishme tregojnë se autorët shfrytëzuan një laptop të komprometuar të njërit prej inxhinierëve, duke përdorur programe dashakeqe për të fbuluar gjurmët.
Kjo taktikë e vështirësoi ndjeshëm si zbulimin e ngjarjes, ashtu edhe hetimet pasuese. Pas kësaj ngjarjeje, Binance shtrëngoi masat mbrojtëse dhe, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ligjzbatuese dhe agjencitë e monitorimit të transaksioneve, po vijon kërkimet për gjetjen e fondeve.
Në një zhvillim tjetër, kompania njoftoi përfundimin e një regjistrimi të ri të gjendjes së pasurive, i njohur si "dëshmi e rezervave" (proof of reserves), i cili u realizua më 31 tetor në orën 00:00 sipas Kohës Universale të Koordinuar (UTC).
Sipas drejtuesve, është siguruar mbulim i plotë për fondet e klientëve në dhjetë kriptomonedha të ndryshme, konkretisht BTC, ETH, USDT, BNB, SOL, USDC, XRP, USD1, RLUSD dhe ZEC, në një raport prej të paktën 1:1.
Kjo nënkupton se për çdo njësi të këtyre monedhave që gjendet në llogaritë e përdoruesve, Binance mban në rezervë një njësi të barabartë. Klientët do të kenë mundësinë ta verifikojnë këtë në mënyrë të pavarur sapo të publikohet dëshmia kriptografike, e cila pritet të dalë më 3 nëntor.
Pas sulmit, si masë paraprake sigurie, Binance pezulloj përkohësisht tërheqjet për të garantuar integritetin e sistemit dhe për të ndalur çdo lëvizje të paautorizuar. Ndërkohë që depozitat janë rikthyer në funksion normal, tërheqjet mbeten ende të pezulluara përkohësisht.
Sidoqoftë, kompania ka konfirmuar se mbetet në linjë me planin për të zhbllokuar tërheqjet për përdoruesit gjatë ditës së diel.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: