Kronikë
Tragjedia në Prizren: 30 vite burg për ekzekutimin e mizor në lagjen “Arbanë”
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Prizren ka dhënë dënimin kapital prej 30 vitesh burgim për të pandehurin A.G., pasi e ka shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të regjistruar më 3 shtator 2023 në lagjen “Arbanë” të këtij qyteti.
Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 18:45 në rrugën “Çerçiz Topulli”, pas një konflikti verbal të çastit mes autorit dhe viktimës B.M. Menjëherë pas zënkës, A.G. ishte nisur drejt banesës së tij për t'u pajisur me një armë zjarri automatike të tipit AK-47, për t'u rikthyer më pas në vendin ku viktima po lëvizte i shoqëruar nga bashkëshortja, vajza e tij dhe dy persona të tjerë.
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, i kryesuar nga Sadije Selmani me anëtarë Ajser Skenderi dhe Artan Sejrani, ka konkluduar se i akuzuari ka vepruar me dashje direkte. Pasi i ka dalë përballë grupit me automjetin e tij dhe është armatosur me pushkën automatike të kalibrit 7.62×39 mm, ai ka shtënë në drejtim të B.M. Pasi viktima është rrëzuar e plagosur në tokë, autori i është afruar dhe e ka ekzekutuar nga afër duke shkrepur një rafal tjetër plumbash në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Gjatë këtij sulmi brutal, përveç marrjes së jetës së viktimës, me dashje është rrezikuar seriozisht edhe jeta e familjarëve dhe personave të tjerë që ndodheshin në shoqërinë e tij, ku bashkëshortja dhe vajza kanë qëndruar pranë viktimës gjatë gjithë kohës, ndërsa dy dëshmitarët e tjerë kanë arritur të fshihen për të shpëtuar. Për këto veprime, A.G. u shpall fajtor për veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit gjyqësor, ndaj të pandehurit A.G. do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit. Palët ndërgjyqëse do ta pranojnë vendimin e plotë të arsyetuar me shkrim brenda afatit ligjor. Vlen të theksohet se për të njëjtën ngjarje, më 16 maj 2024, i njëjti person ishte dënuar tashmë me 1 vit burgim shtesë për veprat penale të armëmbajtjes pa leje dhe dëmtimit të pasurisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: