Kronikë
Zbardhja e tragjedisë: Inspektorati Policor nis hetimet për mënyrën se the trajtuar rastet e Arlinda Zekajt
Reklamë e Sponsorizuar
Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur për opinionin publik se, në bazë të autorizimeve dhe kompetencave të veta ligjore, ka nisur ndërmarrjen e hapave hetimorë dhe verifikues për të shqyrtuar qasjen e Policisë së Kosovës ndaj të gjitha denoncimeve të bëra nga e ndjera Arlinda Zekaj.
Këto hetime po zhvillohen me urdhër dhe autorizim direkt nga Prokuroria e Shtetit, ndërsa synojnë një analizë të thellë të të gjitha procedurave dhe veprimeve të zbatuara nga pjesëtarët e policisë gjatë shqyrtimit të denoncimeve të saj.
"Në kuadër të këtij procesi, IPK do të shqyrtojë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të secilit raportim, si dhe veprimet e ndërmarra apo eventualisht të mos ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës", thuhet në njoftimin e IPK-së.
Sipas institucionit mbikëqyrës, synimi kryesor i këtij angazhimi është kontrolli i ligjshmërisë dhe konfirmimi nëse veprimet e forcave të rendit kanë qenë në përputhje të plotë me rregullat dhe detyrimet ligjore, si dhe përcaktimi i çdo lloj përgjegjësie individuale apo institucionale nëse gjatë procesit vërehen lëshime ose shkelje.
"IPK mbetet e përkushtuar që në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje, në përputhje me mandatin ligjor dhe duke respektuar integritetin e procesit hetimor", përfundon njoftimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: