Sport
Debat i ashpër në Arabinë Saudite: A duhet t'i vishet Cristiano Ronaldos goli i fundit?
Reklamë e Sponsorizuar
Një fitore e rëndësishme e Al-Nassrit me rezultatin 3-1 kundër Al-Faisalyt është shoqëruar me polemika të mëdha, duke e vënë Cristiano Ronaldon në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të autorësisë së një prej golave të shënuar.
Triumfi i arritur të premten mbrëma në kuadër të javës së 11-të të kampionatit saudit kaloi në plan të dytë, pasi realizimi i minutës së 49-të ngriti dyshime të forta mes analistëve dhe ish-lojtarëve të njohur vendës nëse ylli portugez është vërtet autori i tij.
Episodi nisi kur João Félix ekzekutoi një goditje dënimi, duke harkuar topin brenda zonës së rreptësisë, ku Ronaldo kërceu për të goditur me kokë. Megjithatë, para se sfera të përfundonte në rrjetë, ajo preku mbrojtësin brazilian të Al-Faisalyt, André Girotto, duke pësuar një devijim vendimtar.
Sipas rregullave dhe interpretimeve të zakonshme, nëse një goditje e pastër drejt portës devijohet, goli i takon gjuajtësit, ndërsa kur topi nuk ka trajektore drejt kuadratit dhe hyn falë ndërhyrjes së mbrojtësit, shënohet autogol.
Sami Al-Jaber, ish-sulmuesi i shquar i Al-Hilalit dhe kombëtares saudite, ishte ndër të parët që kundërshtoi vendimin zyrtar gjatë emisionit sportiv “Nadeena”, ku analizoi pamjet në lëvizje të ngadalësuar.
Duke u bazuar te kontakti i dukshëm i topit me mbrojtësin brazilian, Al-Jaber mbrojti idenë se ky rast përbën një autogol të qartë të Girottos, një qëndrim ky që u mbështet edhe nga figurat e tjera të njohura të futbollit saudit, Mohammed Noor dhe Hussein Abdulghani.
Pavarësisht diskutimeve të ashpra, paneli i ekspertëve nuk arriti në një konsensus përfundimtar lidhur me trajektoren e saktë të goditjes fillestare të sulmuesit portugez.
Gjatë diskutimit, Mohammed Noor e krahasoi këtë situatë me një episod të ngjashëm nga Kampionati Botëror Katar 2022, ku në ndeshjen mes Portugalisë dhe Uruguait, një gol i ngjashëm pas harkimit të Bruno Fernandes u diskutua gjatë nëse u prek apo jo nga Ronaldo, para se t'i vishej përfundimisht Fernandesit.
Megjithatë, pavarësisht debateve dhe interpretimeve të ndryshme nga ana e analistëve, instancat zyrtare ia kanë atribuar përfundimisht golin kundër Al-Faisalyt Cristiano Ronaldos.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: