Sport
Dokumentimi i krimeve në Deçan: Autori takon ambasadorin Murati në Strasburg për të promovuar të vërtetën historike
Reklamë e Sponsorizuar
Gjatë një vizite zyrtare në Strasburg, autori i librit mbi krimet e luftës në Deçan, së bashku me veprimtarët Fadil Dekaj, Demë (Sokol) Mehmetaj dhe Leonis Prushi, u pritën në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës nga ambasadori Fitor Murati dhe diplomati Ilir Selmani.
Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi, ku u diskutua mbi rëndësinë e dokumentimit të periudhës së luftës dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së kujtesës kolektive. Pjesëmarrësit vlerësuan se përçimi i së vërtetës për krimet e kryera në Kosovë është një obligim ndaj brezave të rinj dhe një kontribut i çmuar për opinionin publik ndërkombëtar.
Në këtë takim, autori i dhuroi ambasadorit Murati ekzemplarë të librit „Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit“. Ky vepër, e botuar në gjuhë të ndryshme, përfshin edhe një botim në gjuhën frënge, realizimi i të cilit u bë i mundur falë kontributit të bashkatdhetarëve Kushtrim Nimonaj, Demë Mehmetaj, Bajrush Stokaj dhe Fadil Dekaj, të cilët u vlerësuan për përkrahjen e tyre.
Diskutimi u përqendrua gjithashtu te mundësitë e organizimit të një ceremonie promovuese për këtë libër në Strasburg. Ambasadori Fitor Murati shprehu gatishmërinë për të mbështetur një nismë të tillë, duke e vlerësuar atë si një mjet të rëndësishëm për të sensibilizuar publikun ndërkombëtar lidhur me të vërtetën historike të Deçanit.
Në përfundim, autori shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen e ngrohtë dhe bisedën konstruktive me ambasadorin Murati dhe kolegun e tij, Ilir Selmani. Ky takim dëshmon se sinergjia mes përfaqësive diplomatike, veprimtarëve të diasporës dhe studiuesve është thelbësore për afirmimin e kauzës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: