Kronikë
Goditet kontrabanda në veri: Sekuestrohen mallra mbi 200 mijë euro dhe 22 automjete
Reklamë e Sponsorizuar
Operacione të suksesshme të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kanë rezultuar me sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara në vlerë mbi 200 mijë euro, si dhe 22 automjeteve, gjatë kontrolleve të zhvilluara në disa lokacione të ndryshme në pjesën veriore të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, aksionet vijnë si kurorëzim i një hetimi disamujor, i cili kishte për qëllim goditjen e grupeve që dyshohet se futnin mallra në mënyrë ilegale nga Serbia në territorin e Kosovës, duke shfrytëzuar rrugët malore dhe duke iu shmangur kështu taksave dhe kontrolleve doganore.
Në mesin e mallrave të konfiskuara përfshihen produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, cigare, barna pa banderola, artikuj higjienikë, si dhe tekstile dhe veshje me marka të mbrojtura tregtare, për të cilat nuk posedohej asnjë lloj licence apo autorizimi përkatës.
Njëri nga operacionet u ndërmarr në afërsi të shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut, ku brenda një lokali u zbuluan dhe u konfiskuan sasi rakie dhe cigare elektronike. Gjatë kësaj periudhe hetimore, autoritetet ndërmorën mbi 20 aksione në zona kufitare dhe vendbanime të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.
Hetimet, të cilat nisën në muajin prill, zbuluan gjithashtu se transporti i mallrave kryesisht bëhej me automjete të modifikuara, të cilave u ishin hequr ulëset e pasme për të fituar hapësirë shtesë. Në shumë raste, drejtuesit e tyre braktisnin mjetet dhe largoheshin sapo vërenin praninë e efektivëve të policisë.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, autoritetet hasën edhe në 504 shpezë të gjalla pa dokumentacion të origjinës dhe pa certifikata shëndetësore. Me urdhër të inspektorit veterinar, ato u asgjësuan menjëherë për shkak të rrezikut të lartë që paraqisnin për shëndetin e qytetarëve.
Prokuroria theksoi se këto mallra të paligjshme përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorëve, pasi nuk dihet origjina e tyre, mënyra e ruajtjes, transportit apo afati i skadimit, ndërkohë që dëmojnë rëndë buxhetin e shtetit dhe konkurrencën e ndershme në treg.
Aktualisht, çështja po trajtohet nën dyshimet për veprat penale “kontrabandë e mallrave” dhe “tregti e ndaluar”. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se personat e përfshirë janë identifikuar tashmë dhe se lënda ndodhet në fazën përfundimtare të hetimeve, ku pas vlerësimit të provave do të merren vendimet e duhura ligjore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: