Sport
Turneu UEFA Development U-15: Shqipëria tregon karakter, por mposhtet nga Letonia
Reklamë e Sponsorizuar
Ka nisur zyrtarisht nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit turneu ndërkombëtar UEFA Development për vajza U-15. Ndeshja hapëse, e zhvilluar në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, vuri përballë Irlandën e Veriut dhe Rumaninë, një duel që u mbyll me suksesin 2-1 në favor të rumuneve.
Irlandezet e Veriut kaluan të parat në epërsi falë një goli të realizuar nga Maisie Hobson në minutën e 8-të, megjithatë Rumania arriti të barazojë shifrat në minutën e 30-të përmes Barbu Sonia. Pjesa e dytë solli edhe golin e përmbysjes së madhe, kur në minutën e 58-të Szekely Csenge shënoi për të vulosur fitoren 2-1 të skuadrës së saj.
Në të njëjtën ditë, kombëtarja e vajzave të Shqipërisë U-15 bëri paraqitjen e saj të parë në këtë aktivitet, duke u përballur me moshataret e Letonisë, takim që u mbyll me rezultatin 1-3 në favor të skuadrës baltike.
Përfaqësuesja kuqezi, e drejtuar nga trajnere Rabie Tota, e nisi takimin nga minuta e parë me formacionin e përbërë nga Grea Tula, Anja Shosha, Rajla Grembi, Kamela Kuzari, Klea Selmani, Rukena Demushi, Perla Kallanxhi, Estela Gjoni, Sanja Isufi, Obikela Kokoshi dhe Amelia Simaku.
Fraksioni i parë i lojës u karakterizua nga një ekuilibër në fushë, ku vajzat shqiptare patën mundësitë e tyre për të kaluar në avantazh, por ishin letonezet ato që zhbllokuan rezultatin në minutën e 34-të me anë të Ritele.
Në pjesën e dytë, Letonia thelloi epërsinë në minutën e 62-të me golin e Pudane. Situata për kuqezuajt u vështirësua ndjeshëm pas ndëshkimit me karton të kuq të Anja Shoshës, ndërsa nga goditja e dënimit e pasuar erdhi edhe goli i tretë i realizuar nga Lanska.
Pavarësisht se u gjendën në inferioritet numerik me 10 lojtare, vajzat shqiptare nuk u dorëzuan dhe reaguan bukur në minutën e 87-të me Estela Gjonin, e cila gjeti rrugën e rrjetës. Edhe në minutat e mbetura Shqipëria pati raste të mira për të ngushtuar më tej diferencën, por sfida u mbyll përfundimisht me shifrat 1-3.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: