Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Buffon del në mbrojtje të Spallettit te Juventusi: Shkarkimi i trajnerëve nuk është zgjidhje

Redaksia Lajmetereja • 20-10-2026 16:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Buffon del në mbrojtje të Spallettit te Juventusi: Shkarkimi i trajnerëve nuk është zgjidhje
Legjenda e portës italiane, Gianluigi Buffon, ka dalë në mbështetje të trajnerit Luciano Spalletti, duke theksuar se atij i duhet dhënë koha e nevojshme për ta rikthyer Juventusin në rrugën e sukseseve. Sipas tij, faji nuk mund t'i vishet gjithmonë vetëm kreut të stolit, sidomos kur brenda katër vjetëve janë shkarkuar pesë trajnerë. Presioni ndaj Spallettit u intensifikua ndjeshëm gjatë fundjavës, pasi bardhezinjtë pësuan një disfatë të rëndë 3-0 në shtëpi përballë Lazios në kuadër të Serie A. Si pasojë e këtij rezultati, pas vetëm shtatë ndeshjeve të zhvilluara në sezonin 2026/27, skuadra nga Torino ka mbetur tetë pikë prapa kreut të renditjes. Tensionet brenda klubit u shtuan edhe pas deklaratave të ashpra të qendërmbrojtësit Bremer pas ndeshjes, i cili akuzoi hapur disa prej bashkëlojtarëve se u mungonte guximi dhe se po fshiheshin në fushë. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se drejtuesit e Juventusit do të vazhdojnë t'i japin besim Spallettit, ndërkohë që Bremer ka kërkuar falje publike në dhomat e zhveshjes. Në një intervistë dhënë për mediat italiane, Buffon u shpreh se e kupton plotësisht reagimin emocional të mbrojtësit brazilian, pasi situata të ngjashme i kishte përjetuar edhe vetë gjatë karrierës së tij të gjatë si futbollist. “Edhe unë e kam bërë këtë dhe gjithmonë ka qenë diçka instinktive. Nuk e kam planifikuar kurrë ndonjë fjalim, gjithmonë kam menduar se ishte e drejtë të flisja në atë moment. E dija se në momente të caktuara duhej të thoja disa gjëra. E kuptoj shpërthimin e Bremerit. Megjithatë, kur flet, duhet të jesh gjithmonë në pozitën e dikujt që po jep më së shumti dhe që mund t’i lejojë vetes të bëjë kritika të caktuara. Por, fillimisht duhet ta pyesësh veten. Ndonjëherë edhe mua më është dashur të më qortonin”, u shpreh ish-portieri i njohur. Buffon vlerësoi gjithashtu se mungesa e një numri të madh të lojtarëve titullarë për shkak të dëmtimeve është një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ecurinë e zbehtë të skuadrës në kampionat. “Ndoshta kjo nuk është skuadra më e fortë e Juventusit që kemi parë ndonjëherë, por të mos i kesh Yildizin, Locatellin, Thuramin, Ekhatorin, Milikun dhe Grabarën do të ishte sikur Italisë t’ia hiqje Cannavaron, Buffonin, Tottin, Nestan dhe Pirlo. Ata duhet të rindërtojnë skuadrën, por në vend të kësaj po përballen me mungesa. Luciano nuk kërkon kurrë justifikime, por ai luajti edhe vetëm tri ditë pas ndeshjes me Celta Vigon dhe pas një udhëtimi të gjatë, duke u kthyer në shtëpi në orën pesë të mëngjesit”, shtoi ai. Pavarësisht sfidave me të cilat po përballet gjiganti italian, Buffon mbetet i bindur se Spalletti është njeriu i duhur për ta udhëhequr këtë projekt afatgjatë. “Nëse kam një dëshirë, ajo është që Spalletti të vazhdojë punën e tij deri në fund. Problemi nuk mund t’i faturohet vetëm trajnerit, kur realiteti tregon se janë shkarkuar pesë syresh brenda katër vjetësh”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar