Sport
Prapaskenat e SC Gjilanit: Drilon Sylejmani zbulon ofertat e huaja dhe arsyet e dështimit të marrëveshjeve
Reklamë e Sponsorizuar
Menaxheri i SC Gjilanit, Drilon Sylejmani, ka hedhur dritë mbi bisedimet intensive që klubi zhvilloi me investitorë ndërkombëtarë pas dorëheqjes së ish-presidentit Florim Zuka, në kërkim të një pronari të ri.
I ftuar në emisionin SportCast, Sylejmani shpjegoi se bordi emergjent i ngritur për këtë qëllim zhvilloi takime të shumta me përfaqësues biznesi nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra dhe Turqia, por pa arritur të finalizonte ndonjë projekt që do të garantonte stabilitetin dhe vizionin e duhur për drejtimin e skuadrës.
“Mund ta konfirmoj publikisht, për herë të parë, që gjatë kësaj periudhe unë personalisht me pjesën e bordit emergjent të cilën e patëm krijuar, jemi takuar me biznesmenë të pafund, duke nisur me biznesmenë nga Italia, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Zvicra dhe së fundmi, të cilët ishin ndoshta shumë më konkretë se të tjerët, edhe me investitorë potencialë nga Turqia. Mirëpo të gjitha analizat të cilat ne i kemi bërë, nuk rezultonte ndonjë projekt që mund t'i besohej dhe mund t'i lihej në dorë dikujt për ta sjellë Gjilanin në këtë nivel të organizimit qysh e ka tani. Iu thashë edhe më përpara, jemi mësuar ta shohim Gjilanin në nivel shumë të lartë të organizimit. Edhe për një moment bashkëbiseduam me dikë që ka tjera botëkuptime për futbollin në radhë të parë, mandej edhe për vetë klubin e Gjilanit. Kjo pjesa e besimit ka qenë ndoshta si shtyllë shumë e rëndësishme për t’ia besuar dikujt drejtimin e klubit apo jo. Po e rikonfirmoj, përpos të interesuarve që ka pasur nga vendet e huaja, kemi edhe biznesmenë kosovarë që kanë shfaqur interesin për ta marrë klubin e Gjilanit. Por iu thashë që aspekti organizativ dhe financiar ka qenë shumë i lartë. Kërkesat në atë periudhë kanë qenë shumë të larta, dhe jo gjithkush e ka pasur guximin ta marrë dhe ta udhëheqë një projekt, një klub siç ka qenë Gjilani”, deklaroi Sylejmani.
Duke u ndalur te pista turke, ai veçoi se bëhej fjalë për profile me eksperiencë të theksuar në industrinë e futbollit, të cilët zotëronin lidhje me klube të ndryshme në Turqi dhe menaxhonin lojtarë si brenda vendit ashtu edhe në mbarë kontinentin evropian.
Pavarësisht seriozitetit të shfaqur nga pala turke, mungesa e një garancie absolute për të ardhmen e klubit bëri që marrëveshja të mos materializohej në një kontratë zyrtare.
“Po, kanë qenë investitorët nga Turqia, janë edhe menaxherë të futbollit, të cilët kanë lidhje me klube të ndryshme në Turqi dhe kanë në menaxhim futbollistë, jo vetëm futbollistë turq, mirëpo edhe në gjithë Evropën. Por siç e thashë edhe më parë, besimi për t’ia dorëzuar klubin dikujt ka munguar, në atë periudhë, në të cilën kemi qenë në vështirësi financiare. Sot për sot, themi shumë mirë që ka ndodhur ashtu sepse klubi është në duar të sigurta dhe aksionarët apo pronarët të cilët tash ndodhen në klub, janë më e mira ndoshta që kishim parashikuar”, shtoi ai.
Periudha pas largimit të Florim Zukës e gjeti SC Gjilanin përballë sfidash të mëdha, ku gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme financiare dhe administrative ishte jetike. Megjithatë, duke parë situatën aktuale, Sylejmani beson se vendimi për t'ia besuar klubit pronarëve të tanishëm ka qenë lëvizja më e duhur për fatet e skuadrës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: