Politikë
Trendafilova: Askush nuk ka të drejtë të ndikojë në vendimet e gjyqtarëve të Speciales
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka adresuar përmes një video-mesazhi çështjet kyçe që lidhen me pavarësinë e këtij institucioni, sigurinë e dëshmitarëve dhe viktimave, si dhe përkushtimin ndaj parimit të sundimit të ligjit.
Reagimi i saj vjen në një periudhë kur Kuvendi i Kosovës ka ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, zhvillim ky që pasoi vendimin fajësues për katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë, si dhe reagimet e ashpra dhe protestat e organizuara kundër atij aktgjykimi.
Gjatë fjalës së saj, Trendafilova vuri në dukje se institucioni që ajo drejton është përballur vazhdimisht me fushata dezinformimi për punën dhe autonominë e tij, duke theksuar se gjyqtarët e kësaj gjykate janë profesionistë me integritet të lartë nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe vendet kontribuuese.
“Në kundërshtim me dezinformatat për gjykatën, të cilat vazhdojnë të përhapen, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”, u shpreh ajo.
Lidhur me kontrollin e vendimeve, kreu i Speciales sqaroi se shqyrtimi i tyre bëhet përmes mekanizmave të ankesave, që përfshijnë panelet e Apelit brenda Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Panelin e Gjykatës Supreme.
Ajo shtoi se të pandehurit kanë mundësi t’i drejtohen edhe Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në rast se pretendojnë shkelje të të drejtave të tyre, duke bërë me dije se këto mjete juridike janë shfrytëzuar tashmë dhe kanë rezultuar me sukses në disa raste.
Duke komentuar debatet publike, gjyqtarja nga Bullgaria theksoi se kritikët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësi në një shoqëri demokratike, mirëpo parimi i sundimit të ligjit nuk lejon që “askush të mos mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin”.
“Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikime apo ndërhyrje politike”, shtoi më tej ajo.
Përveç dezinformatave, institucioni është sfiduar edhe nga veprime për të penguar drejtësinë, të cilat kanë sjellë dënime dhe pranime fajësie për frikësim të dëshmitarëve.
Dhomat e Specializuara funksionojnë mbi bazën e një mandati të përcaktuar përmes shkëmbimit të letrave, Kushtetutës së Kosovës dhe ligjit përkatës, me synim kryesor zhvillimin e procedurave penale të sigurta, të paanshme dhe efikase, si dhe mbrojtjen e dëshmitarëve e viktimave.
Trendafilova përsëriti se gjyqtarët emërohen nga vendet e BE-së dhe shtetet partnere, duke plotësuar standardet më të larta morale dhe profesionale të vendeve të lor, ndërsa detyrën e tyre e ushtrojnë në përputhje të plotë me betimin e dhënë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: