Sport
Anes Meliqi para sfidës me Skopjen: Terrene të vështira, por Shkëndija kërkon vetëm fitoren
Reklamë e Sponsorizuar
Skuadra e Shkëndijës së Tetovës bëhet gati për udhëtimin e radhës në kuadër të javës së 10-të, ku do të përballet si mysafire ndaj Skopjes në kryeqytet. Si udhëheqëse e tabelës, skuadra kuqezi synon të ruajë ritmin pozitiv dhe të ecë e sigurt drejt objektivit kryesor, rikthimit të titullit kampion në qytetin e Tetovës.
Ndeshja është programuar të zhvillohet këtë të diel në stadiumin e Autokomandës në Shkup, me fillim nga ora 14:00. Përpara këtij takimi delikat, mbrojtësi i kombëtares, Anes Meliqi, ka ndarë pritshmëritë e tij me opinionin publik, duke u ndalur te gjendja problematike e fushave në futbollin vendor.
Duke folur për infrastrukturën sportive, Meliqi u shpreh se terrenet në vend janë në gjendje të rëndë, por theksoi se kjo nuk duhet të shërbejë si alibi. "Unë mendoj se kjo nuk është arsyetim. Terreni është i keq si për ne, ashtu edhe për kundërshtarin. Megjithatë, duhet të pranojmë se Shkëndija është një ekip që ndërton lojë dhe synon futboll evropian, ndaj kjo na e vështirëson punën dhe i jep përparësi rivalit. Megjithatë, ne duhet të gjejmë rrugën drejt fitores dhe besoj se do t'ia dalim në ndeshjen e ardhshme," u shpreh futbollisti.
Në fjalën e tij, Meliqi nuk i ka ikur as vetëkritikës, duke analizuar barazimin e fundit që la shije të keske në kampin tetovar. "Duhet të jemi pak më vetëkritikë, pasi zhgënjyem ndaj Shkëndijës së Haraçinës. Duke llogaritur dominimin dhe rastet që krijuam, duhet ta kishim mbyllur ndeshjen më herët në favorin tonë, pa ia mohuar meritën edhe kundërshtarit që bëri një paraqitje të mirë. Duhet të mësojmë nga këto gabime, pasi kampionati është i gjatë," shtoi mbrojtësi.
Në prag të kësaj sfide, ku Shkëndija kërkon të mbrojë kreun e renditjes, Meliqi ka bërë të qartë se fokusi është vetëm te tri pikët. Ai theksoi se edhe pse rivalët kanë gabuar paralelisht, skuadra duhet të ecë ndeshje pas ndeshjeje për të rritur diferencën në tabelë. "Objektivi ynë është vetëm fitorja, qoftë duke luajtur bukur, qoftë duke ndërtuar nga poshtë, në fushë të mirë apo të keqe, në baltë apo kudo tjetër. E rëndësishme është të marrim tri pikët," përfundoi Meliqi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: