Sport
Kthehet Rahoveci 029: Triumfi historik ndaj Pejës, Ylli vazhdon marshimin me fitore në Gjakovë
Reklamë e Sponsorizuar
ProCredit Superliga e Kosovës në basketboll ka sjellë emocione të mëdha gjatë fundjavës, ku Rahoveci 029 ka arritur më në fund të shijojë fitoren e parë të këtij edicioni. Pas një nisjeje të vështirë me katër humbje rresht, skuadra rahoveciase ka dhënë shenja të duhura të këndpamjes. Nga ana tjetër, Golden Eagle Ylli ka konfirmuar formën e shkëlqyer, duke regjistruar triumfin e tretë radhazi në elitën e basketbollit vendor.
Të shtunën në mbrëmje, në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci 029 ka shkaktuar befasinë e javës së pestë duke e mposhtur Pejën me rezultatin 106:95. Vendasit e nisën takimin me ritëm të lartë, duke dominuar dy periodat e para me shifrat 29:21 dhe 29:25. Edhe pse Peja u kundërpërgjigj në çerekun e tretë duke e fituar atë 27:24, rahovecianët menaxhuan me mençuri epërsinë dhe triumfuan edhe në dhjetëminutëshin e fundit me rezultat 24:22, duke vulosur fitoren e parë sezonale.
Në aspektin individual, Mika Adams ishte motori kryesor i fitores te Rahoveci 029, duke shkëlqyer me 31 pikë, gjashtë kërcime dhe dhjetë asistime, i mbështetur fuqishëm nga Zion Fruster që shtoi 28 pikë, dy kërcime dhe pesë asistime. Te skuadra pejane, e cila regjistroi humbjen e tretë radhazi, u dallua Robert Smith me 28 pikë, katër kërcime dhe gjashtë asistime.
Ndërkohë, Golden Eagle Ylli ka vazhduar rrugëtimin e suksesshëm, duke triumfuar si mysafir ndaj Vëllaznimit me shifrat 100:86, në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Megjithëse vendasit fituan çerekun e parë 25:23, therandasit reaguan fuqishëm në periodën e dytë me fitoren 29:22, për të shkuar në pushimin e madh me epërsinë 52:47.
Pas një çereku të tretë të mbyllur në baraspeshë 20:20, Ylli e kontrolloj plotësisht lojën në periudhën e fundit, duke e fituar atë 28:19 dhe siguruar fitoren e radhës. Davontrey Thomas udhëhoqi skuadrën nga Theranda me 26 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa Khalil Shabazz kontribuoi me 21 pikë, një kërcim dhe shtatë asistime.
Për Vëllaznimin, i cili tani ka regjistruar humbjen e katërt krahas vetëm një fitoreje në këtë edicion, më i dalluari në parket ishte Kentrell Pullian me 28 pikë, shtatë kërcime dhe shtatë asistime, shifra këto që megjithatë nuk mjaftuan për të shmangur disfatën në shtëpi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: