Politikë
Kosova synon blerjen e helikopterëve ushtarakë amerikanë për të fuqizuar mbrojtjen
Reklamë e Sponsorizuar
Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse, Kosova ka ndërmarrë hapa konkretë për t'u pajisur me helikopterë ushtarakë. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se kërkesa zyrtare për këtë blerje i është drejtuar Departamentit Amerikan të Luftës.
Procesi i prokurimit pritet të zhvillohet përmes programit amerikan të njohur si FMS, mekanizëm ky që lehtëson blerjen e sistemeve ushtarake drejtpërdrejt përmes Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Ky program siguron që Departamenti Amerikan i Luftës të menaxhojë të gjitha fazat e negocimit dhe blerjes.
Ekspertët vendorë të fushës së sigurisë e kanë mirëpritur këtë nismë, duke e cilësuar si një hap tejet të rëndësishëm drejt konsolidimit të ushtrisë vendase.
“Kosova ka nevojë për shumëçka dhe për shumë sisteme të mbrojtjes, jo vetëm helikopterë. Ka nevojë edhe për mbrojtje kundërajrore, për mjete që përdoren në luftën kundër mjeteve të blinduara, për dronë e të tjera. Pra, është një gamë e gjerë e armatimeve që i duhen Kosovës. Sigurisht që secila blerje që paralajmërohet është në interes të shtetit”, u shpreh eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.
Edhe njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, e ka vlerësuar lart këtë zhvillim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Viti 2026 do të jetë vit i nënshkrimit të shumë marrëveshjeve për plotësimin e kapaciteteve mbrojtëse të ushtrisë së Kosovës, në këtë rast FSK-së. Andaj, porositja ose edhe vetëm bisedat për pajisje ajrore, konkretisht helikopterë, si dhe për disa pajisje të tjera, janë lajm shumë i mirë për Republikën e Kosovës”, deklaroi Dashevci.
Krahas projekteve për armatim, ministri Maqedonci ka ndarë edhe një tjetër lajm pozitiv për zhvillimin e institucioneve arsimore ushtarake. Për herë të parë, Qendra për Studime Universitare e FSK-së është pajisur me riakreditim pesëvjeçar, duke përmirësuar kështu standardin e saj nga periudha e mëparshme trevjeçare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: