Botë
Modernizimi i FSK-së, Maqedonci: I kemi kërkuar SHBA-së nisjen e bisedimeve për blerjen e helikopterëve
Reklamë e Sponsorizuar
Forca e Sigurisë së Kosovës ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së kapaciteteve të saj ajrore, duke i drejtuar një kërkesë zyrtare Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të hapur diskutimet rreth sigurimit të helikopterëve ushtarakë. Mbrojtja e hapësirës ajrore mbetet tashmë një nga prioritetet kryesore strategjike të vendit.
Këto detaje u bënë të ditura nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili gjithashtu adresoi shqetësimet lidhur me sfidat e sigurisë dhe rreziqet që, sipas tij, Serbia i kanos rajonit dhe Kosovës. Sipas tij, iniciativa për pajisjen me helikopterë është ndërmarrë nga komandanti i FSK-së, ndërsa i gjithë procesi i prokurimit pritet të realizohet përmes programit amerikan FMS, nën mbikëqyrjen e Departamentit Amerikan të Luftës.
“Kemi prokuruar normalisht edhe dronët, pra fluturaket pa pilot që kemi tri lloje aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Fokusi ynë në vazhdim do të jetë mbrojtja ajrore, pra mbrojtja nga sulmet eventuale ajrore, mbrojtja e hapësirës ajrore të Kosovës, dhe për këtë çështje jemi duke koordinuar dhe bashkëpunuar me partnerët tanë amerikanë. Edhe mbështetja ajrore, që nënkupton edhe kjo pjesa e helikopterëve, për të cilën tashmë komandanti i FSK-së ka adresuar kërkesën për SHBA-në, për të diskutuar këtë çështje, sepse kjo blerje bëhet duke aplikuar programin FMS, që nënkupton ne dërgojmë kërkesën në Departamentin e Luftës, të gjitha procedurat e negocimit, prokurimit, edhe procedurat e tjera për blerje zhvillohen nga Departamenti Amerikan i Luftës”, theksoi Maqedonci.
Duke folur për investimet e kryera gjatë viteve të fundit, ministri vuri në dukje se arsenali i FSK-së është pasuruar ndjeshëm me sisteme të reja armatimi, të cilat synojnë të rrisin fuqinë operacionale të ushtrisë.
“Ne kemi bërë blerje të llojllojshme, pra gjatë këtyre fazave, sidomos gjatë tre-katër viteve të fundit, kemi bërë prokurimet e sistemeve shumë të rëndësishme të armatimit. Dihet që një pjesë edhe janë bërë publike, një pjesë janë parë edhe gjatë ushtrimeve, një pjesë i kemi theksuar edhe në publikimet tona. I kemi aktualisht katër lloje të sistemeve antitank, lloje të mortajave të ndryshme, për çitje në distancë të ndryshme, lloje të automjeteve të ndryshme, kemi prokuruar edhe sisteme të artilerisë mobile”, shtoi ai.
Krahas kësaj, kreu i mbrojtjes njoftoi se autoritetet po angazhohen në formimin e njësive të reja ushtarake dhe përshtatjen e strukturës mbrojtëse me rrethanat aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë.
“Pra, ne këto ndryshime që po i bëjmë edhe bashkë me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, këtu rritjen e numrit të armëve, po mendoj, shumëfishimin e llojeve të armëve, rritjen e njësive të reja, sepse kemi dy njësi të reja që tashmë janë shumë operacionale, siç janë njësia për operacione speciale dhe njësia për fluturake të papilotë, që janë njësi që s’kanë qenë të planifikuara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, janë bërë duke analizuar situatën aktuale dhe nevojat që ka Kosova për mbrojtje”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Maqedonci vuri në pah se zhvillimi i forcës ushtarake po ecën me ritme më të shpejta se sa parashikimet fillestare, falë mbështetjes së vazhdueshme institucionale dhe angazhimit të shtuar në rekrutim e ngritje të kapaciteteve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: