Aktuale
Wayne Rooney lëshon ‘kamxhikun’ ndaj Lisandro Martínezit: Kalove vijën, rrezikon largimin nga Old Trafford
Reklamë e Sponsorizuar
Reagimet pas disfatës së Manchester Unitedit ndaj Atlético Madridit nuk kanë të ndalur, ndërsa kësaj radhe është legjenda e klubit, Wayne Rooney, i cili ka kritikuar pa doreza mbrojtësin Lisandro Martínez për deklaratat e tij publike drejtuar shtabit drejtues.
Ish-kapiteni legjendar i “Djajve të Kuq” vlerëson se qendërmbrojtësi argjentinas ka kapërcyer çdo cak me fjalët e thëna, duke nënvizuar se debatet dhe temat e brendshme të klubit duhet të mbrohen nga sytë e opinionit dhe mediave.
“Sipas mendimit tim, ai ka kaluar kufirin dhe këto pakënaqësi duhej të trajtoheshin brenda mureve të klubit”, u shpreh Rooney gjatë prononcimit të tij.
Ikona e futbollit anglez pranoi se nderkaq Martínez synon që drejtuesit të hapin thesin dhe të investojnë fuqishëm për afrimin e lojtarëve të rinj, por në të njëjtën kohë hodhi një paralajmërim të fortë se vetë argjentinasi mund të jetë në listën e largimeve për të bërë vend për përforcimet.
“Ai dëshiron që klubi të sjellë futbollistë të rinj dhe për ta arritur këtë, ndoshta ai vetë do të jetë ndër të parët që do të shitet, nëse më pyetni mua”, shtoi ai.
Veç kësaj, Rooney nuk i fshiu as kritikat për formën e treguar në fushë nga mbrojtësi, duke sugjeruar se paraqitjet e tij nuk kanë qenë në lartësinë e duhur për të mbështetur deklarata të tilla publike. Ai shtoi se pavarësisht se mund të ketë një pikë të vërtetë te kërkesa për investime në mbrojtje dhe repartin e sulmit, prapa gjithë kësaj fshihet edhe një prapavijë tjetër.
Pavarësisht zhgënjimit nga rezultati, ish-sulmuesi i njohur nuk e pa gjithë situatën si negative, duke veçuar disa detaje inkurajuese në lojën e përgjithshme të skuadrës krahasuar me ndeshjet e kaluara.
Në fund të reagimit të tij, Rooney përfundoi duke thënë se qëndrimet e Martínezit përbëjnë një mungesë respekti ndaj bashkëlojtarëve të ekipit, duke theksuar se një qasje e tillë vetëm sa e rëndon më shumë atmosferën e krijuar në klub.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: