Kronikë
Manovra të rrezikshme në TikTok: Policia e Shkupit ngre kallëzim penal ndaj drejtuesit të motoçikletës
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale më 10.10.2026, ku shfaqej një person duke drejtuar një motoçikletë të markës „Suzuki“ në mënyrë të pasigurt dhe duke lëvizur vetëm në një rrotë. Ngjarja ka ndodhur në bulevardin „Aradhet Partizane“, pranë kryqëzimit me rrugën „29 Nëntori“, duke rrezikuar seriozisht jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës. Përmes bashkëpunimit mes Njësisë për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor pranë SPB Shkup dhe sistemit „Qyteti i Sigurt“, autoritetet kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të identifikuar mjetin me targa të Shkupit, i cili më 3 tetor 2026 ishte përfshirë në këto veprime të rrezikshme.
Në kuadër të hetimeve, policia fillimisht ka zhvilluar një bisedë zyrtare me pronarin e mjetit, e më pas edhe me vetë përdoruesin e motoçikletës. Gjatë këtij procesi është zbuluar se më 3 tetor 2026, mjeti është drejtuar nga 37-vjeçari A.A. nga Shkupi.
Gjatë bisedës zyrtare me efektivët e policisë rrugore, i dyshuari A.A. ka pranuar se ka drejtuar motoçikletën „Suzuki“ në bulevardin „Aradhet Partizane“ pa pasur fare patentë shoferi. Ai po ashtu ka pohuar se pamjet filmike të manovrave i ka shpërndarë vetë në profilin e tij personal në platformën TikTok.
Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori publik pranë Prokurorisë Themelore Publike në Shkup. Ndaj A.A. do të ngrihet kallëzim penal për shkeljen e nenit 297-a të Kodit Penal për „drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik“, si dhe për nenin 298 të Kodit Penal që ka të bëjë me „rrezikim të sigurisë së komunikacionit me veprim a mjet të rrezikshëm“, njoftojnë nga autoritetet policore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: