Politikë
Kryeministri Rama pret në Tiranë kryediplomatin izraelit Sa’ar: Shqipëria, një mik i vyer dhe i guximshëm
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka zhvilluar një takim zyrtar në Tiranë me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë bashkëpunimi dypalësh dhe zhvillimet e fundit gjeopolitike.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale X, kryediplomati izraelit ka shprehur mirënjohjen e tij për kreun e Qeverisë shqiptare, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më etike dhe më me peshë në udhëheqjen globale të kohës sonë.
Sa’ar ka vënë në dukje se shteti izraelit çmon jashtëzakonisht shumë përkushtimin e kryeministrit shqiptar ndaj sigurisë së Izraelit, si dhe pozicionimin e tij të palëkundur në mbrojtje të vlerave kundër terrorizmit dhe antisemitizmit.
Sipas njoftimit të tij, bashkëbisedimi është fokusuar tek intensifikimi i marrëdhënieve mes dy shteteve, duke analizuar gjithashtu situatën aktuale si në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe në atë të Lindjes së Mesme.
"Pata kënaqësinë të takohem sot në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama @ediramaal . Rama e ka udhëhequr Shqipërinë për 13 vjet rresht dhe, sipas mendimit tim, është një nga udhëheqësit më të shquar dhe më etikë në botë sot. Rama është një zë i qartë dhe i guximshëm në skenën ndërkombëtare. Ai është gjithashtu një mik i shquar i Izraelit, i cili na ka qëndruar pranë edhe në kohë sfiduese.
Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e tij për sigurinë e Izraelit dhe qëndrimin e tij të vendosur kundër antisemitizmit dhe terrorizmit. Ishte një bisedë e thellë rreth avancimit të marrëdhënieve midis vendeve, si dhe situatës në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. Falemidenti, Edi, për miqësinë tuaj të guximshme dhe miqësinë e thellë të Shqipërisë me Izraelin", ka shkruar ministri izraelit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: