Kronikë
Rigjykimi për vrasjen e shtetases argjentinase: Dëshmitarja rrëfen momentet e fundit dhe fjalët e viktimës
Reklamë e Sponsorizuar
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar të hënën procesi gjyqësor në rastin ku Endrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase. Gjatë seancës së rigjykimit, dëshmitarja Erza Limani, e cila shërbente si recepsioniste në hotelin ku ndodhi ngjarja tragjike, ka dëshmuar se pasi e ndjera kishte rënë nga dritarja e dhomës, i kishte kërkuar asaj vetëm ujë.
“E vetmja gjë që kam bisedu është kur ka kërku ujë”, ka deklaruar Limani para trupit gjykues. Ky proces i rigjykimit po udhëhiqet nga trupi gjykues i përbërë nga kryetari Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Alltën Murseli e Gëzim Ademi, pasi Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe kishte kthyer lëndën në pikën e zero, pas dënimit prej 18 vjetësh burgim që i ishte shqiptuar Nikës më 19 shkurt 2026.
Seanca e kësaj të hëne solli ndryshime në përbërjen e palëve të dëmtuara, ku babai i viktimës, Akundo Urdergaraja, u përfshi zyrtarisht si palë e dëmtuar përmes avokatit të tij, Leutrim Syla. Ndërkohë, gjykata konfirmoi se është bërë sigurimi i një përkthyesi të gjuhës gjermane në dialektin e përdorur në Zvicër, vend ku ka jetuar i akuzuari.
Gjatë dhënies së fjalëve hyrëse, prokurori i rastit, Armend Hamiti, dhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar Maria Magdalena, avokati i së cilës është Betim Shala, deklaruan se qëndrojnë pranë pretendimeve të mëparshme. Avokati Leutrim Syla shprehu besimin se në këtë rigjykim do të tejkalohen të gjitha çështjet e ngritura nga Apeli, me synimin që Nika të shpallet fajtor dhe të marrë një dënim më të merituar.
Në krahun tjetër, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Tomë Gashi, paralajmëroi se gjatë shqyrtimit do të vërtetohet se objekti i hotelit ku ndodhi ngjarja nuk posedon leje ndërtimore, për çka ka dorëzuar edhe një kallëzim penal, duke shtuar se mënyra e ndërtimit nuk i plotëson kushtet për një hotel. Gashi ngriti gjithashtu shqetësimin se dhoma 403, nga kishte rënë e ndjera, nuk ishte siguruar me shirita policorë dhe se sipas tij, trupi i viktimës nuk shfaq asnjë shenjë dhune të ushtruar brenda asaj hapësire.
Mbrojtja vuri në dukje edhe çështjen e inçizimeve të dorëzuara në Polici nga pronari dhe menaxheri, të cilat sipas tij nuk janë dërguar për analiza në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, si dhe mungesën e fotografive të vendit të ngjarjes në shkresat e lëndës, për çka tha se zyrtarët përgjegjës do të duhej të ishin hetuar nga Inspektorati Policor.
Seanca vijoi me dëshmitë e palëve, ku nëna e viktimës, Maria Magdalena, dhe babai i të akuzuarit, Ismajl Nika, konfirmuan se qëndrojnë pranë deklaratave të tyre të mëparshme. Më pas u shqyrtua dëshmia e dëshmitares Erza Limani, ku me propozim të mbrojtjes u lexua deklarata e saj e dhënë më parë, e cila në atë kohë ishte zhvilluar e mbyllur për publikun, ku ndër të tjera ishte theksuar se i akuzuari fillimisht nuk kishte dashur të thirrej policia nga stafi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: