Politikë
Maqedonci dhe ambasadori amerikan Whitaker fokusohen te integrimi i Kosovës në NATO dhe bashkëpunimi ushtarak
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me ambasadorin amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike dhe thellimi i partneritetit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Sipas të dhënave të bëra publike nga vetë ministri Maqedonci përmes një postimi në rrjetet sociale, diplomati amerikan ka konfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj integruese, si dhe për të vazhduar ndihmën në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të vendit.
"Shpreha mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të SHBA-së për Kosovën, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Theksova rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Iowa-s, i cili po zhvillohet prej më shumë se 15 vjetësh në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror. Ky partneritet po forcon kapacitetet tona përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave", ka theksuar Maqedonci.
Kreu i Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se bashkëpunimi mes dy vendeve po zgjerohet dukshëm edhe në sektorin e prokurimeve ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes. Gjatë bisedës u trajtua çështja e zhvillimit të kapaciteteve, duke përfshirë sistemet e armatimit të blera nga SHBA-ja dhe procedurat tashmë të nisura për sigurimin e helikopterëve Black Hawk, krahas mbështetjes për prodhimin vendor ushtarak në Kosovë.
Një tjetër segment i rëndësishëm i bisedimeve ishte edhe shqyrtimi i mundësive për bashkëpunim të bazuar te ndarja e përgjegjësive, me theks të veçantë te kampi Bondsteel dhe Aeroporti i Gjakovës.
"Ritheksova nevojën për mbështetjen e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, si dhe për zgjerimin e qasjes së ushtarakëve tanë në programet dhe shkollat e NATO-s. Diskutuam gjithashtu për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n lidhur me praninë dhe optimizimin e KFOR-it, si dhe për normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës. Shpreha interesimin tonë për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit sipas parimit të ndarjes së përgjegjësive, përfshirë në kampin Bondsteel dhe në Aeroportin e Gjakovës. Në këtë frymë, theksova edhe rëndësinë e kontributit të Kosovës në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, si dëshmi e gatishmërisë sonë për të marrë përgjegjësi dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. E ftova Ambasadorin Whitaker që të vizitojë Kosovën, për të vazhduar dialogun dhe për të avancuar bashkëpunimin tonë. Partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe për të ardhmen euroatlantike të Kosovës", u shpreh ndër të tjera në njoftim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: