Kronikë
Krime lufte në Zveçan: Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për vrasje dhe spastrim etnik ndaj M.Gj.
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zyrtarizuar ngritjen e një aktakuzë ndaj të pandehurit M.Gj., i cili ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas dokumentit të akuzës, gjatë harkut kohor 1998-1999 në territorin e Komunës së Zveçanit, i pandehuri në cilësinë e Komandantit të Repartit Policor rezervë, duke vepruar në bashkëkryerje dhe nën përgjegjësi si individuale ashtu edhe komanduese me pjesëtarë të forcave policore serbe, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasje, trajtim çnjerëzor, akte frikësimi, shkatërrim pronësor, si dhe në dëbimin masiv dhe spastrimin etnik të banorëve civilë.
Në njoftimin e lëshuar nga institucioni i akuzës theksohet se më 29 prill 1999, i pandehuri, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar të organizuar në struktura të uniformuara të Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe, kishte ndërmarrë një operacion ushtarak-policor për rrethimin e një fshati në këtë komunë.
“Gjatë operacionit, u vranë tre (3) banorë civilë, ndërsa shtatë (7) persona të tjerë u rrëmbyen, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale. Trupat e gjashtë (6) prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, ndërsa trupi i viktimës së shtatë (7) ende nuk është gjetur. Rasti i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim”, bëhet e ditur në njoftim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: