Politikë
Luan Gacaferi ironizon lëvizjen e PDK-së: Albi luan shah fort, plani juaj për zgjedhje dështoi
Reklamë e Sponsorizuar
Anëtari i partisë Guxo, Luan Gacaferi, ka reaguar me ironi ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas qëndrimit të shprehur nga komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila e ka cilësuar si të papranueshëm çdo ndryshim në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Gacaferi ka shprehur bindjen se kjo nismë e PDK-së nuk ka qenë e rastësishme, por pjesë e një strategjie të kalkuluar për të prodhuar zgjedhje të parakohshme dhe për të manipuluar opinionin publik. Sipas tij, opozita kishte bërë tashmë llogaritë dhe ndarjen e posteve qeveritare, por situata ka marrë një kthesë tjetër.
Në një shkrim të tij, ai është shprehur se iniciatorët e ndryshimeve ligjore do t'ua shtonin edhe 25 vite burg të akuzuarve në Hagë po të mundnin, ndërsa synimi i vërtetë ishte përdorimi i këtij ligji si pretekst për një grusht shteti politik, duke llogaritur se kryeministri Albin Kurti do ta refuzonte, gjë që do t'u shërbente për të ndezur masat.
Megjithatë, Gacaferi thekson se ky skenar dështoi pasi, sipas tij, Kurti e luan mjeshtërisht lojën e shahut. Ai ka shtuar me ironi se i vjen keq që planet e tyre për ndarjen e ministrive dhe drejtorive institucionale, përfshirë edhe postin e presidentit, tashmë kanë rënë në ujë.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Gacaferi ka lëshuar një kunj të fortë ndaj oponentëve politikë, duke thënë se në vend të kabinetit qeveritar që kishin planifikuar të ndanin mes vete, me gjasë do t'u duhet të ndajnë qelitë e burgjeve në Dubravë dhe Dyz.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: