Vdiq ish-kryetarja e PSD-së dhe ish-deputetja Kaqusha Jashari

Publikuar më: 06-05-2025 07:32
Ka vdekur në moshën 79-vjeçare, themeluesja e Partisë Socialdemokrate dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Kaqusha Jashari. Lajmi u bë i ditur nga familjarë të saj, që kanë njoftuar po ashtu se ceremonia e varrimit bëhet në orën 13:00 në Prishtinë. Biografia e saj, sipas Fjalorit Enciklopedik të Kosovës: Funksionare e lartë partiake gjatë periudhës së autonomisë, kryetare e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, deputete, inxhiniere. Lindi në Prishtinë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e vijoi në Kamenicë, Gjilan dhe Prishtinë. Fakultetin e Ndërtimtarisë e filloi në Beograd dhe e përfundoi në Prishtinë. Punoi në operativën ndërtimore në Ferizaj deri më 1975. Në periudhën 1975-1988 ushtroi funksione me rëndësi në organet krahinore të periudhës së autonomisë, ndër të cilat edhe kryetare e Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (1986) dhe kryetare e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës (1988). Po në këtë kohë, pas përfshirjes në konfliktet politike që shpërthyen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, u largua nga funksioni dhe deri më 1990 ushtroi detyrën e drejtorit të autoritetit rrugor të Kosovës. Në vitet ’90 vazhdoi aktivitetin politik në radhët e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSDK) dhe në periudhën 1998-2008 ishte kryetare e kësaj partie. Në legjislaturën e dytë (2006-2010) ishte deputete e Kuvendit të Kosovës. Merrej edhe me pikturë dhe ka hapur disa ekspozita personale.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu