Botë
Tragjedia e Kosovës nuk mund të mohohet: Reagimi i ashpër i shoqatës “Përkorë” ndaj fjalimit të Vuçiqit në OKB
Reklamë e Sponsorizuar
Shoqata e Familjarëve “Përkorë” ka dalë me një reagim të ashpër lidhur me qëndrimet e shprehura nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku ai hodhi poshtë ekzistencën e një katastrofe humanitare në Kosovë gjatë periudhës së luftës 1998-1999.
Duke folur në emër të kësaj organizate, Latif Mehmeti u shpreh se deklarata të tilla përbëjnë një fyerje të rëndë dhe mohim të drejtpërdrejtë të një tragjedie të mirëdokumentuar, e cila ka lënë pas dhimbje të thella për mijëra familje.
“Gjatë luftës në Kosovë, shqiptarë të Kosovës u vranë, u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe mijëra persona mbetën të zhdukur. Mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës u dëbuan drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së atëhershme”, ka theksuar ai.
Mehmeti shtoi se një dëshmi e pakundërshtueshme e krimeve të kryera gjatë konfliktit janë trupat e pajetë të shqiptarëve të Kosovës, të cilët janë zbuluar në varreza masive anembanë territorit të Serbisë, duke përfshirë lokacione si Batajnica, Petrovo Selo, Peruçaci, Rudnica dhe Kizhevaku.
Në emër të shoqatës, Latif Mehmeti ka ngritur disa pyetje thelbësore që vazhdojnë të mbeten pa përgjigje:
Kush i transportoi trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë drejt Serbisë?
Kush organizoi fshehjen e tyre në varreza masive dhe kush mban përgjegjësi për këtë?
“Këto nuk janë vetëm pyetje të familjeve të të zhdukurve. Janë çështje që kërkojnë trajtim serioz institucional, dokumentim të plotë dhe përgjegjësi para drejtësisë”, u shpreh ai në reagimin e organizatës “Përkorë”.
Në këtë linjë, shoqata u bën thirrje institucionaleve vendore që faktet, dëshmitë dhe dokumentet mbi krimet e luftës dhe fatin e personave të zhdukur të prezantohen në mënyrë më të fuqishme dhe të pandërprerë para mekanizmave ndërkombëtarë.
“E vërteta për viktimat, të zhdukurit dhe familjet e tyre nuk mund të fshihet përmes mohimit apo propagandës. Familjet kërkojnë të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë për të dashurit e tyre”, përfundoi deklaratën e tij Latif Mehmeti nga Shoqata e Familjarëve “Përkorë” në Podujevë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: