Politikë
Meta i kthen përgjigje Daçiçit: Lëni anash provokimet dhe bëhuni bashkë për votën e 25 tetorit në Serbi
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave provokative të zyrtarit serb, Ivica Daçiç, duke ftuar faktorin politik dhe institucional në Shqipëri dhe Kosovë që të mos merren me këto skenare, por të përqendrohen te procesi zgjedhor i 25 tetorit në Serbi.
Në një reagim të bërë publik, Meta u shpreh se Daçiç është i lirë të vizitojë Prizrenin në çdo kohë nëse ndjen nostalgji për vitet e fëmijërisë, madje ironizoi duke thënë se mund të këndojë atje edhe këngën "Mora mandolinën", ashtu siç di vetëm ai dhe siç e ka dëgjuar vetë disa herë live. Megjithatë, kreu i Partisë së Lirisë theksoi se këto deklarata nuk duhet të përbëjnë çudi, sidomos pas homazheve shtetërore që i janë bërë të ashtuquajturit "Kasap i Srebrenicës", Ratko Mlladiç.
Sipas Metës, vëmendja kryesore në këto dy javë duhet të jetë te mobilizimi i përgjithshëm. Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe politikanëve në Tiranë dhe Prishtinë, si dhe gjithë shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Serbi, Kosovë, Zvicër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo në diasporë që gëzojnë të drejtën e votës në Serbi, që të bëjnë çdo sakrificë për të votuar më 25 tetor Listën e Përbashkët "Koalicioni Shqiptar".
Një apel i veçantë u drejtua studentëve dhe intelektualëve shqiptarë nga Lugina që studiojnë apo janë diplomuar në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët duhet të japin shembullin e parë duke votuar dhe duke nxitur familjarët e miqtë e tyre të bëjnë të njëjtën gjë. Meta e ka cilësuar këtë si një mundësi historike që nuk duhet humbur kurrsesi.
Duke e quajtur këtë si rrugën e vetme për mbrojtjen e të drejtave elementare dhe ndalimin e pasivizimit të adresave – një formë gjenocidi të heshtur dhe shfarosës për shqiptarët e Luginës – ai kërkoi angazhim maksimal për të siguruar sa më shumë deputetë në Kuvendin e Serbisë. Sa më shumë përfaqësim të ketë, aq më e mundur bëhet kërkesa për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, demokratizimi i vetë Serbisë dhe përmirësimi i jetës në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Në mbyllje të mesazhit të tij, duke iu referuar edhe 13 ditëve të mbetura deri në zgjedhje, Meta theksoi se ky përfaqësim historik do t'u jepet mundësia shqiptarëve që t'ia këndojnë live Ivica Daçiçit këngën "Mora mandolinën" pikërisht brenda Parlamentit të Serbisë, që edhe ai të ketë rastin të çmallet me fëmijërinë e tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: