Kronikë
“Pa të ardhura dhe në ankth”, stafet e NPB-së ngrihen në protestë para Gjykatës Supreme
Reklamë e Sponsorizuar
Punonjësit e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë zhvilluar një protestë paqësore para dyerve të Gjykatës Supreme, duke bërë thirrje për shqyrtim urgjent të lëndës së tyre. Ata kanë ngritur alarmin se zvarritja e vendimmarrjes po rrezikon ekzistencën e familjeve të tyre, pasi prej kohësh kanë mbetur pa marrë pagat e muajve.
Kryetari i kësaj proteste, Xhevat Prebreza, gjatë fjalës së tij theksoi se pas këtij procesi gjyqësor qëndrojnë fatet e qindra punëtorëve dhe familjeve të tyre që po përballen me pasiguri ekstreme financiare.
“Jemi mbledhur këtu para Gjykatës Supreme sepse pas kësaj dere ndodhet lënda jonë, e cila prek qindra punëtorë dhe familje që janë në pritje të një përgjigjeje. Këtu bëhet fjalë për fëmijët tanë, për faturat e papaguara, për bukën tonë të përditshme dhe për dinjitetin e çdo punëtori. Ne nuk synojmë të ndërhyjmë në punën e drejtësisë, por kërkojmë që ajo të mos vonohet, pasi në lojë është mirëqenia e familjeve tona”, u shpreh Prebreza.
Ai veçoi faktin se pavarësisht mungesës së kompensimit financiar dhe sfidave të mëdha, trupa punonjëse ka vazhduar me përkushtim të plotë detyrat e përditshme në shërbim të qytetarëve.
“Megjithëse jemi të rraskapitur nga mungesa e pagave, ne nuk kemi ndalur punën. Vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve për t'u ofruar shërbimet më cilësore. Ne jemi shtylla e këtij qyteti, ndaj kërkojmë nga Gjykata Supreme të tregojë solidaritet me ne. Edhe sa kohë duhet të presë një punëtor për djersën e ballit të tij? Pse çështjet e tjera trajtohen me prioritet ndërsa e jona zvarritet?”, shtoi ai.
Prebreza bëri të aqtë se durimi i stafit ka arritur kufijtë e fundit, duke i bërë thirje institucionit të drejtësisë që t'i japë fund heshtjes dhe të trajtojë çështjen me prioritetin e duhur ligjor.
“Kemi duruar mjaftueshëm, por sot jemi këtu për të kërkuar fundin e vonesave dhe të padrejtësisë ku punëtorët mbeten pa paga. Kërkojmë shqyrtim të shpejtë të lëndës sonë. Ne po kërkojmë të drejtat tona përmes rrugës paqësore, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit. Ne nuk jemi kundër drejtësisë; ne thjesht duam drejtësi dhe atë që na takon me ligj”, u shpreh organizatori.
Duke evokuar të kaluarën dhe kontributin e dhënë gjatë periudhave kritike, siç ishte pandemia e koronavirusit, ai kujtoi se stafi nuk u tërhoq asnjëherë nga përgjegjësitë e tyre qytetare dhe profesionale.
“Ne kemi qenë në detyrë kur të tjerët qëndronin në shtëpi, madje edhe në kohët më të zymta si gjatë COVID-19. Kemi qëndruar në vendet tona të punës në ditët e mira dhe të vështira, duke dhënë kontributin tonë. Prandaj, i bëjmë thirrje Gjykatës Supreme që të veprojë me urgjencë për t'i dhënë fund këtij agonie që rëndon mbi mbi 380 punonjës dhe familjet e tyre”, përfundoi Prebreza, duke kërkuar që zëri i tyre të merret parasysh sa më parë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: