Kronikë
Kriza e pagave në NPB: Punëtorët protestojnë para Gjykatës Supreme, premtohet shqyrtim urgjent i lëndës
Reklamë e Sponsorizuar
Dhjetëra punonjës të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) në Prishtinë kanë dalë në një protestë paqësore para dyerve të Gjykatës Supreme. Shkas për këtë revoltë është bërë ngrirja e llogarive bankare të ndërmarrjes, e cila ka ndodhur si pjesë e një procedure përmbarimore që buron nga një mosmarrëveshje gjyqësore.
Organizatori i kësaj proteste, Xhevat Prebreza, i ka bërë thirrje publike Gjykatës Supreme që të ndërhyjë me urgjencë, duke theksuar se më shumë se 380 punëtorë kanë mbetur pa marrë pagat e tyre për gati tre muaj rresht. „Edhe sa muaj duhet të pres një punëtor për pagën e tij? Sa gjatë? Pse lëndët e tjera të palës trajtohen ndërsa e jona duhet të pritet? Kemi duruar, kemi pritur, por sot kemi ardhur këtu për t'ju thënë qartë: mjaft më me heshtje, mjaft më me vonesa, mjaft më punëtorët pa paga. Po ashtu, ne kërkojmë trajtim sa më të shpejtë të lëndës së NPB-së nga Gjykata Supreme. Ne po vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona në mënyrë paqësore, kërkesa jonë nuk ka të bëjë me pavarësinë e punës gjyqësorit në këtë çështje. Nuk jemi kundër drejtësisë, ne kërkojmë drejtësi. Nuk po kërkojmë lemosh, po kërkojmë vetëm të drejtën tonë“, u shpreh ai gjatë fjalimit të tij.
Në mbështetje të kolegëve foli edhe Valdet Sylejmani, një tjetër punonjës i kësaj ndërmarrjeje, i cili vuri in në dukje gjendjen e rëndë socio-ekonomike në të cilën ndodhen stafet e NPB-së. „Shumë e vështirë është. Ka nëna këtu që janë vetushqyese dhe e kanë të pamundur t’ia dalin me obligimet që po na rëndojnë çdo ditë e më shumë. Është e vështirë për të gjithë ne“, shtoi ai.
Pas përfundimit të protestës, përfaqësuesit e punëtorëve patën një takim zyrtar me autoritetet e Gjykatës Supreme, ku u konfirmua se kërkesa e tyre do të merret në shqyrtim dhe do të trajtohet me prioritetin e duhur.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: