Botë
BDI: Maqedonia e Veriut jashtë planeve të BE-së, ekzekutivi po e izolon vendin nga procesi i zgjerimit
Reklamë e Sponsorizuar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pasi Komisioni Evropian ka konfirmuar se udhërrëfyesit e rinj për anëtarësim do të përgatiten vetëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, duke lënë sërish Maqedoninë e Veriut jashtë kësaj liste zyrtare.
Sipas partisë opozitare, vendi ka pësuar një rënie drastike në rrugën e integrimit evropian, ndërkohë që shtetet e tjera të rajonit po shënojnë hapa konkretë përpara.
"Dikur ishim të parët në rajon. Sot të gjithë ecën përpara, ndërsa ne mbetemi në vend", thuhet në reagimin e BDI-së.
Formacioni politik vlerëson se ky ngërç është rezultat direkt i qeverisjes aktuale, e cila, sipas tyre, gjatë dy viteve të fundit nuk ka sjellë asnjë zgjidhje, nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konstruktiv.
"Vetëm arsyetime, konflikte dhe akuza ndaj të tjerëve", theksohet në kumtesë, duke shtuar se tanimë qytetarët po paguajnë faturën e kësaj politike.
BDI nënvizon se shtetet e tjera do të përfitojnë plane konkrete, afate të qarta, si dhe qasje më të gjerë në fondet dhe tregun e Bashkimit Evropian, ndërsa Maqedonia e Veriut po shkëputet nga grupi i vendeve që synojnë anëtarësimin.
Për këtë arsye, nga kjo parti kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme nga Qeveria, duke shtruar pyetjet se pse vendi mbeti jashtë këtij procesi, cila është strategjia alternative dhe çfarë kostoje do të ketë ky bllokim për ekonominë dhe qytetarët.
"Përgjegjësia është e Qeverisë. E morën një shtet me proces të hapur dhe po e lënë pa rrugë, pa afat dhe jashtë hartës së zgjerimit. Evropa po ecën përpara. Shqipëria, Mali i Zi po ecin përpara. Vetëm Maqedonia e Veriut po mbahet peng nga kjo Qeveri", përfundojnë nga BDI.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: