Politikë
Bilanci i rëndë: Mijëra shtetas shqiptarë të dëbuar nga Britania e Madhe gjatë një viti
Reklamë e Sponsorizuar
Statistikat zyrtare dëshmojnë se për të pestin vit radhazi, shtetasit shqiptarë mbajnë vendin e parë për numrin më të lartë të largimeve me forcë nga territoret britanike.
Të dhënat më të freskëta të bëra publike nga Ministria e Punëve të Brendshme britanike (Home Office) tregojnë se gjatë harkut kohor nga tetori i vitit 2025 deri në tetor të vitit 2026, janë dëbuar gjithsej 2,247 shqiptarë që nuk posedonin leje të vlefshme qëndrimi.
Sipas raportimeve të Home Office, ky komunitet kryeson listën e dëbimeve, duke lënë pas shtetas nga Rumania, Brazili, India dhe Polonia.
Pjesa dërrmuese e 2,247 shqiptarëve të larguar përbëhet nga individë të dënuar për krime të ndryshme, të cilët, pasi kanë shlyer 40% të masës së dënimit, janë riatdhesuar në Shqipëri përmes fluturimeve speciale me charter.
Autoritetet britanike konfirmojnë se 80% e këtyre personave ishin shpallur fajtorë për përfshirje në trafikimin dhe shitjen e kokainës.
Një tjetër statistikë e rëndësishme nga Home Office tregon se "shtetasit shqiptarë përbëjnë grupin më të madh për nga shtetësia në mesin e personave të kthyer në kuadër të procedurave të lidhura me azilin, duke zënë një të katërtën (24% ose 2,831 persona) të të gjitha kthimeve të tilla deri në mars 2026.
Gjatë vitit 2022, mbi 12 mijë shqiptarë mbritën në brigjet angleze duke kaluar Kanalin e Lamanshit me mjete lundruese gomone.
Në këtë linjë, Home Office bën të ditur se gjatë vitit 2025, plot 53% e totalit të personave të mbërritur me gomone dhe që tashmë janë dëbuar, janë pikërisht me shtetësi shqiptare.
Në periudhën nga 1 shkurti 2025 deri më 31 janar të vitit 2026, gjithsej 2,835 emigrantë u transportuan me avionë jashtë Mbretërisë së Bashkuar, me një faturë totale prej 13.8 milionë paundësh, ose afërsisht 5,000 paund për çdo person.
Referuar shkrimeve të gazetës The Telegraph, operacioni i dëbimit të 47 shqiptarëve përmes një avioni privat të tipit Airbus 321 i ka kushtuar arkës së Home Office plot 22.000 stërlina për secilin prej tyre.
Lidhur me këtë situatë, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe (Home Office) ka deklaruar:
“Më shumë se 80,000 emigrantë që kanë hyrë ilegalisht dhe shtetas të huaj që kanë kryer vepra penale janë kthyer që nga zgjedhjet e korrikut 2024, një rritje prej 41 për qind”.
Vlen të theksohet se Shqipëria ka qenë vendi me numrin më të lartë të fluturimeve çarter, ku 42 avionë janë marrë me qira për të kthyer në atdhe 1,810 emigrantë gjatë kësaj periudhe, të cilët kishin hyrë në mënyrë të paligjshme duke shkelur legjislacionin e emigracionit ose kishin kryer vepra penale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: