Kronikë
Alarmi në Luginë: Rënie drastike e numrit të policëve shqiptarë dhe mungesa e rekrutimeve të reja
Reklamë e Sponsorizuar
Edhe dy dekada pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Luginën e Preshevës, çështja e përfaqësimit të bashkësisë shqiptare brenda radhëve të Policisë së Serbisë mbetet një sfidë e pazgjidhur. Në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, prania e efektivëve shqiptarë ka shënuar rënie të vazhdueshme ndër vite, ndërkohë që pjesa dërrmuese e atyre që shërbejnë aktualisht janë pranë moshës së pensionimit.
Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë, ka theksuar se situata po shkon drejt një alarmi të kuq. Sipas tij, nga viti 2016 nuk është realizuar asnjë pranim i ri. “E tash, në këto 25 vjet sa kanë punuar ata njerëz, një pjesë e tyre është larguar, ka shkuar në perëndim, një pjesë janë larguar nga puna dhe një pjesë e cila është punësuar atëherë në një moshë pak më të shtyrë, tashmë kanë arritur para pensionimit. Pra numri i shqiptarëve po bie në mënyrë drastike dhe në 4-5 vitet e ardhshme do të vijmë në situatë çfarë e kemi pasur para luftës këtu te ne”, u shpreh ai.
Banorët dhe krerët lokalë në këtë rajon vlerësojnë se problemi kryesor nuk lidhet vetëm me largimin e gjeneratës pioniere të policëve, por me bllokimin e procesit të thirrjeve për rekrutim.
Shqiprim Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, theksoi se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Konçulit, shqiptarët u integruan masivisht në policinë multietnike. Megjithatë, ai shtoi: “Prej asaj kohe, domethënë prej kush e di sa viteve, nuk kemi shqiptarë në nivel të përfaqësimit të popullsisë që jetojnë në këtë rajon. Imagjinojeni, polici i fundit që është nxjerrë nga akademia është në vitin 2016”.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, bëri të ditur se ka marrë premtime nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë lidhur me përfshirjen e shqiptarëve në ciklet e ardhshme të rekrutimit.
“Ne rrezikojmë që për 7-8 vite të gjithë ata policë të shkojnë në pension dhe të mbesim pa policë shqiptarë. Deri tash nuk kanë pranuar. Kemi parë një angazhim të shtuar të OSBE-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme ku kanë qenë edhe në një takim këtu te unë e pastaj kanë mbajtur edhe një tubim me të rinj të interesuar për t'u bërë policë. Unë e shoh këtë herë një seriozitet më të madh dhe e shoh që ka pasur interesim edhe të rinjtë të cilët më tepër kanë aplikuar këtë herë, për shkak se e kanë pasur të humbur edhe shpresën sepse kur aplikon 10 herë e nuk pranohesh për arsyetime janë krejtësisht banale, shpresa humb”, deklaroi Pajaziti.
Formimi i policisë multietnike në jug të Serbisë u realizua në kuadër të marrëveshjeve për paqe dhe stabilizim të arritura në vitin 2001, të cilat garantonin përfshirjen e drejtë të popullsisë lokale në strukturat e rendit dhe sigurisë publike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: