Politikë
Harta e re territoriale në lupë, Teliti: S’kemi reformë, por vetëm copëtim kufijsh pa vizion
Reklamë e Sponsorizuar
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka hedhur kritika të forta ndaj ndryshimeve të propozuara në hartën e re territoriale, duke theksuar se debati është kufizuar vetëm te zhvendosja e kufijve dhe ka anashkaluar çështjet thelbësore të administrimit, kompetencave dhe buxheteve vendore.
Sipas tij, procesi aktual nuk mund të konsiderohet si një reformë e vërtetë administrative, por thjesht një ndryshim ligjor i kufijve të njësive vendore. Ai u shpreh se fokusi i një nisme të tillë duhet të kishte qenë te mënyra e administrimit dhe jo thjesht te vizatimi i territorit, duke ngritur shqetësimin se nuk është diskutuar as për funksionet, as për kompetencat, as për financat dhe as për përfaqësimin e komuniteteve urbane e rurale.
Teliti u ndal te rastet konkrete të përmendura në projekt, duke përmendur bashkimin e Ndroqit me Kavajën apo të Divjakës me Lushnjën me pretendimin se kjo do të përmirësojë shërbimet. Ai ironizoi arsyetimet e maxhorancës, duke thënë se asgjë nuk do të ndryshojë në praktikë, përveçse, në rastin e Divjakës, Lushnja do të sigurojë dalje në det.
Gjithashtu, ai solli në vëmendje zhvendosjen e zonës së Rinasit nga Bashkia e Krujës te ajo e Tiranës, duke theksuar se ky veprim prek edhe hartën e qarqeve, pasi heq territore nga Durrësi dhe i shton Tiranës. Teliti mbylli deklaratën e tij duke ngritur pikëpyetje mbi mungesën e transparencës nga ana e institucioneve, të cilat, sipas tij, nuk kanë dhënë shifra të sakta se sa banorë dhe biznese i shtohen kryeqytetit nga këto ndryshime territoriale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: