Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Nderim për heronjtë: Në Morinë përjetësohet vendi i rënies së tetë dëshmorëve përmes 'Gurëve të kujtesës'

Redaksia Lajmetereja • 11-10-2026 19:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Nderim për heronjtë: Në Morinë përjetësohet vendi i rënies së tetë dëshmorëve përmes 'Gurëve të kujtesës'
Në fshatin Morinë të Gjakovës janë përuruar "Gurët e kujtesës", një nismë e ndërmarrë për të nderuar dhe ruajtur gjurmët e betejës së rëndësishme të 7 korrikut, ku humbën jetën tetë dëshmorë. Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, ky projekt ka për qëllim që vendet ku u zhvilluan luftimet të mos harrohen kurrë nga brezat e ardhshëm. Gjatë kësaj faze, këto simbole përkujtimore janë planifikuar të vendosen edhe për dëshmorët Muhamet Ukshini, Shkëlzen Syla dhe Ahmet Pulatani. Gazmend Elezaj, invalid i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe banor i Morinës, i përjeton ende me shumë emocione kujtimet e asaj dite dramatike të 7 korrikut, kur u nda nga tetë bashkëluftëtarët e tij. "Sikur sot po më kujtohet, atë ditë prej orës katër të mëngjesit deri në pesë të mbrëmjes lufta nuk është ndalur. Kanë qenë me tanke, me këmbësori me të gjitha edhe i kemi kthye mbrapa. Në këtë betejë deri në 5 metra në afërsi kemi luftuar në vijën e frontit prej pesë deri në orën katër, as bukë nuk kemi pasur me ngrënë", ka rrëfyer Elezaj. Për të mos lënë që historia e sakrificës të zbehet me kalimin e kohës, Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale të Kosovës ka vendosur "Gurët e kujtesës" direkt në pikat ku dëshmorët dhanë jetën. "Është një ndjenjë e veçantë t'i vendosim këta gurë në vendin ku kanë rënë këta dëshmorë. Këtu ku gjendemi në Morinë të Gjakovës është brez kufitar ku janë zhvilluar beteja të ashpra, ndërsa ne kemi arritur që t'i vendosim këta gurë, të paktën për brezat e rinj që të mos harrojmë se në cilat vende kanë luftuar, ku kanë rënë dhe çka ka ndodhur në këto vende", u shpreh Avdyl Zeneli nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Gjakovë. Ndjenjat e krenarisë dhe dhimbjes u ndanë edhe nga familjarët e pjesëmarrësit e asaj lufte, të cilët theksuan rëndësinë e këtij homazhi historik. "Sot po e ndjej veten krenar, ndonëse me emocione, pasi po shënohet kjo ditë, në vendin ku ata ranë në betejë ballë për ballë me armikun e ku rezistuan deri në momentin e fundit", tha Smajl Avdyli, familjar dhe bashkëluftëtar. "Është krenari për ne, prandaj i falënderoj të gjithë ata organizatorë që e kanë projektuar një projekt të tillë dhe kanë bërë mundin që historia të mos mbetet në harresë, por të vendosen gurthemelët e historisë në vendin ku ata e lanë me gjak", shtoi Sadri Abdyli, ish-komandant i Shtabit Lokal në Morinë. Nga Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale të Kosovës kanë konfirmuar se "Gurët e kujtesës" do të vendosen së shpejti edhe në kujtim të dëshmorëve të tjerë, duke përfshirë Muhamet Ukshinin, Shkëlzen Sylën dhe Ahmet Pulatanin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar