Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Pas tejkalimit të ngërçit politik, Kosova përballet me provën e madhe të zhvillimit ekonomik dhe reformave

Redaksia Lajmetereja • 11-10-2026 18:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Pas tejkalimit të ngërçit politik, Kosova përballet me provën e madhe të zhvillimit ekonomik dhe reformave
Pas konsolidimit të institucioneve shtetërore, sfida kryesore për Kosovën mbetet shndërrimi i stabilitetit politik në rezultate të prekshme për qytetarët. Ekspertët e fushës vlerësojnë se përshpejtimi i reformave evropiane, stimulimi i ekonomisë, thithja e investimeve të huaja dhe ngritja e mirëqenies sociale përbëjnë prioritetet absolute që kërkojnë angazhim urgjent. Po ashtu, theksohet nevoja jetike që, pas një periudhe të gjatë bllokadash, pozita dhe opozita të bashkojnë forcat rreth temave me interes jetik për shtetin. Me funksionalizimin e plotë të organeve të shtetit, fokusi tashmë është zhvendosur te hapat e ngutshëm që duhet të ndërmarrë ekzekutivi i ri, duke përfshirë domosdoshmërinë e një dialogu konstruktiv ndërmjet spektrit politik për t'i dhënë trajtë vendimeve të mëdha. Analisti politik, Mazllum Baraliu, vlerëson se agjenda e qeverisjes duhet të dominohet nga rruga euroatlantike e vendit, zbatimi i Planit të Rritjes, mbështetja për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. “Duhet të miratohen ligjet që të bëhen reformat që kërkesa jonë të trajtohet sa më parë për kandidat për anëtarësim në BE. Pa lënë anash edhe planin e brendshëm, zgjedhjen e problemeve, veçanarisht të kategorive të dëmtuara si pensionistët, fëmijët dhe të papunësuarish”, u shpreh ai. Në të njëjtën linjë, Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, bën me dije se ekzistojnë fonde të konsiderueshme që presin të thithen nga institucionet. “Rreth gjysmë miliardë euro ose rreth 500 milionë euro janë në pritje që duhet t'i marrë shteti i Kosovës nga këtë fonde, qoftë nga Plani i Rritjes, qoftë edhe nga fondet e IPA-s, në këtë rast, të marrëveshjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me të gjitha sektorët e jetës në Kosovë, si të sektorit të arsimit, ekonomisë apo edhe të drejtësisë”, theksoi Bugaqku. Duke pasur parasysh koston e lartë të bllokadave të kaluara, ekspertët insistojnë se bashkëpunimi ndërpartiak nuk është thjesht dëshirë, por domosdoshmëri për sfidat që e presin Republikën. “Tashmë do të duhet gjithsesi që të punojnë së bashku. Në aspektin e bllokadës që kemi pasur politike mbi dy vite e sa, dëmet janë kolaterale, por janë edhe esenciale, të shumta dhe të pariparueshme. Gjithsesi edhe në imazh, edhe në rating, edhe në prestigj”, deklaroi Baraliu. Testi i vërtetë i qëndrueshmërisë institucionale tanimë matet me masat konkrete për nxitjen e ekonomisë dhe mbrojtjen e standardit jetësor. “Inflacioni e gërryen qytetarin e Kosovës. Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin edhe përmes meadiumit tuaj, t'i bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës ta marrë shumë seriozisht e ta ndërmarrë një paketë që do t'i ndihmonte sado pak në zbutjen e inflacionit. Për shkak se do të kemi një rritje edhe më të madhe të inflacionit dhe një ulje më të madhe të standardit të qytetarëve të Republikës së Kosovë”, u shpreh Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Kujtojmë se gjatë kësaj jave legjislativi ka kaluar një cikël projektligjesh dhe paketa marrëveshjesh ndërkombëtare, ndërkohë që të hënën pritet mbledhja e Kryesisë për të përcaktuar agjendën e seancës së radhës. Në fund, njohësit e zhvillimeve bëjnë thirrje për përkushtim të shtuar në drejtim të tërheqjes së kapitalit të huaj, konsolidimit të sundimit të ligjit dhe finalizimit të nismave kapitale në sektorët kyçë të arsimit dhe shëndetësisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar