Kronikë
Tragjedia në rafinerinë e Greqisë: Ndërron jetë shqiptari i dytë, pranga katër përgjegjësve
Reklamë e Sponsorizuar
Bilanci i ngjarjes së rëndë në rafinerinë e kompanisë greke “Motor Oil” është rënduar edhe më tej, pasi ka ndërruar jetë në spital edhe punëtori i dytë me origjinë shqiptare.
Viktimja është identifikuar si Dorian Hysa, 50 vjeç, i cili kishte pësuar lëndime kritike në kokë gjatë shpërthimit të fuqishëm që ndodhi të premten. Ai ndodhej i intubuar në spitalin “Thriasio” të Elefsinës, ku pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, nuk mundi t'u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë këtë të diel.
Si pasojë e drejtpërdrejtë e këtij shpërthimi tragjik, jetën kishte humbur në vendngjarje edhe Robert Cakaj, 43 vjeç, ndërkohë që një punëtor i tretë pati vetëm shqetësime të lehta në rrugët e frymëmarrjes.
Menjëherë pas aksidentit, dy të plagosurit rëndë u dërguan fillimisht në spitalin e Korinthit dhe më pas, për shkak të gjendjes tejet kritike, u transferuan në Elefsinë. Megjithatë, ndërhyrja e mjekëve nuk arriti ta shpëtojë 50-vjeçarin Hysa.
Ndërkohë, autoritetet kompetente greke kanë intensifikuar hetimet për të zbuluar shkaqet e sakta të këtij shpërthimi dhe për të kontrolluar nëse janë respektuar të gjitha protokollet e sigurisë gjatë ndërhyrjeve për mirëmbajtje në ambientet e rafinerisë.
Lidhur me këtë ngjarje, policia ka vënë në pranga katër persona, konkretisht kontraktorin e punimeve dhe tre drejtues që kishin detyrë mbikëqyrjen e projektit, ku përfshihet edhe përgjegjësi i sektorit të shëndetit dhe sigurisë në punë. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë penale të këtij aksidenti fatal.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: