Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Kongresi Ndërkombëtar për Shëndetin Mendor: Nevoja urgjente për qasje inovative dhe mbështetje më të madhe institucionale

Redaksia Lajmetereja • 11-10-2026 10:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kongresi Ndërkombëtar për Shëndetin Mendor: Nevoja urgjente për qasje inovative dhe mbështetje më të madhe institucionale
Në ditën e dytë të edicionit të tetë të Kongresit Ndërkombëtar, me sloganin "Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja", Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë bashkuar sërish forcat për të trajtuar sfidat kryesore të fushës. Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës dhe Shqipërisë, Ilir Havolli, në fjalën e tij theksoi se tetë edicionet e këtij organizimi nuk përbëjnë thjesht ngjarje kalendarike, por shërbejnë si platforma për krijimin e strategjive të reja përballë vështirësive në punë, ndërkohë që kërkoi vëmendje dhe përkrahje më të madhe. Havolli u shpreh optimist se ky takim do t'i pajisë pjesëmarrësit me perspektiva dhe partneritete të freskëta. Havolli: Shpresoj që nga ky kongres, te marrim një motivim të ripërtërirë për punën tonë "Hapësira për ta kuptuar njeriun përballë nesh, për ta dëgjuar pa e gjykuar dhe për t'i qëndruar pranë në ato momente kur ai ka më shumë nevojë, këtë nuk e mësojmë asnjëherë në bankat shkollore, apo gjatë zhvillimit akademik. Prandaj, shpresoj që nga ky kongres, te marrim jo vetëm njohuri të reja, por edhe një motivim të ripërtërirë për punën tonë, të largohemi prej këtu me ide të reja, me bashkëpunime të reja dhe me bindje se kontributi i secilit prej nesh ka rëndësi", tha Havolli. Në vijim, psikologia nga Shqipëria, Elisabeta Gjonpali, gjatë prezantimit të punimit me titull "Shëndeti mendor postpartum në Shqipëri", solli në vëmendje faktin se gratë pas lindjes në territorin shqiptar nuk i nënshtrohen një vlerësimi apo identifikimi të duhur të shqetësimeve emocionale. Gjonpali: Në sistemet shëndetësore në Shqipëri pas lindjes nënat nuk kalojnë në një ekip multidisiplinar ose në një vlerësim “Një gjë që kam vënë re në sistemet shëndetësore në Shqipëri është që pas lindjes nënat nuk kalojnë në një ekip multidisiplinar ose në një vlerësim, qoftë dhe për identifikim të problematikave emocionale pas lindjes. Gjithashtu, është vënë re që edhe në vizitat e para pas gjashtë jave lindje po prapë nuk kalojnë një test depistues ose identifikues nëse to nënat po kalojnë një problematikë shëndetësore”, deklaroi Gjonpali. Nga ana e saj, psikologia Natyra Maloku, duke trajtuar temën "Çrregullimet neurologjike dhe trajtimet leopedike", vuri theksin te rëndësia e ndërhyrjes së menjëhershme pas verifikimit të këtyre çrregullimeve. Maloku: Në momentin që kemi çrregullime neurologjike, atëherë është e rëndësishme që ne të trajtojmë "Duhet të theksojmë që në momentin që kemi çrregullime neurologjike, atëherë është e rëndësishme që ne të trajtojmë për shkak se prek komunikimin, prek gjuhën, prek zërin, prek pjesën e frymëmarrjes dhe roli i logopedit është që të krijojë një plan individual, bashkë me ekip multidisiplinar, ku mund të jenë neurolog, psikolog, fizioterapeutë dhe të tjerë", u shpreh Maloku. Në mbyllje, u bë e ditur se ky kongres me përmasa ndërkombëtare do të vijojë traditën e tij edhe në vitet e ardhshme përmes edicioneve të tjera.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar