Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Agjenda legjislative e Qeverisë 2026-2028: Mbi 200 projektligje në plan, mes tyre Kodi Civil dhe Liritë Fetare

Redaksia Lajmetereja • 11-10-2026 09:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Agjenda legjislative e Qeverisë 2026-2028: Mbi 200 projektligje në plan, mes tyre Kodi Civil dhe Liritë Fetare
Qeveria e Kosovës ka bërë publike agjendën e saj legjislative për periudhën 2026-2028, e cila parashikon kalimin e rreth 200 projektligjeve në Kuvendin e Kosovës nga Zyra e Kryeministrit dhe ministritë e ndryshme. Për vitin 2026, Zyra e Kryeministrit synon miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrimin e Bujqësisë, ndërkohë që tashmë janë ratifikuar amendamenti 1 i marrëveshjes për Programin IPA 2021, amendamenti 1 i marrëveshjes për Programin IPA 2022, si dhe marrëveshja IPA 2026-2027. Ndërkaq, gjatë vitit 2027, ky institucion synon të dërgojë për miratim ligjin për Hetimin e Aksidenteve, atë për Mbrojtje nga Diskriminimi, ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga Institucionet e Zbatimit të Ligjit, ndryshimet në Ligjin Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë, si dhe ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Për vitin 2028, planifikohet Projektligji për Mbrojtjen e Individëve në Lidhje me Përpunimin Automatik të Dhënave Personale. Në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë këtij viti parashikohet miratimi i projektligjit për Shërbimin e Jashtëm, atij për Statusin, Imunitetet dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike, Konsullore dhe Personelit të Kosovës dhe Praninë Ndërkombëtare Ushtarake si dhe Personelin e saj. Po ashtu, synohet ratifikimi i “Konventës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile Apo Tregtare” dhe i “Konventës për Zgjedhjen e Marrëveshjeve Gjyqësore”. Ministria e udhëhequr nga Glauk Konjufca synon gjithashtu miratimin e projektligjeve për ratifikimin e “Konventës së Lubjanës-Hagës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen e Krimit të Gjenocidit, Krimeve Kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të tjera Ndërkombëtare”, të Marrëveshjes për Ekstradim dhe asaj për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Franceze. Për vitin 2027, kjo ministri ka planifikuar Projektligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare, Projektligjin për Protokollin e Shtetit dhe Projektligjin për Diasporën, ndërsa nuk ka parashikuar asnjë projektligj për vitin 2028. Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë deri më tani ka realizuar ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, atë për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjatë këtij viti, dikasteri që udhëhiqet nga Donika Gërvalla synon gjithashtu miratimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, marrëveshjeve për Ekstradim dhe për Transferimin e Personave të Dënuar me të njëjtin shtet, Projekt Kodit Civil të Republikës së Kosovës, si dhe Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar