Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Eksperti paralajmëron: Kosova rrezikon shndërrimin në një shtet të varur nga skemat sociale

Redaksia Lajmetereja • 11-10-2026 09:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Eksperti paralajmëron: Kosova rrezikon shndërrimin në një shtet të varur nga skemat sociale
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka kërkuar që zhvillimi ekonomik, mbështetja e sektorit privat dhe prodhimi vendor të jenë prioritetet kryesore të institucioneve të reja të vendit. Ai ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të mbetet e varur nga ndihmat sociale nëse nuk krijon kushte të favorshme për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm. Sipas tij, pas formimit të institucioneve të dala nga vota, vendi duhet ta shfrytëzojë këtë momentum për të rikthyer besimin e bizneseve, për të tërhequr investime dhe për të ndërtuar një politikë më të unifikuar në shërbim të ekonomisë. Gërxhaliu ka theksuar se fokusi kryesor duhet të jetë te krijimi i kushteve për bizneset vendore dhe investitorët nga diaspora, duke vlerësuar se shoqëria nuk mund të mbështetet vetëm te ndihmat sociale. “Në rend të parë duhet të kuptohet që nuk i bëhet nder Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në qoftë se të gjithë trajtohen si raste sociale. Ka nevojë Kosova për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe ai zhvillim i qëndrueshëm ekonomik të jetë garant i stabilitetit social. Nuk jetohet nga ndihma, jetohet nga zhvillimi dhe në këtë drejtim besoj që është koha kur duhet të kemi prioritet në rend të parë mbështetjen e sektorit privat, në rend të dytë sektorin prodhues, në rend të tretë reforma në arsim, në veçanti në arsimin dual dhe profesional. Mbi të gjitha, të kemi një dialog të mirëfilltë që do ta mbështesë sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik, dhe jo Kosova të shndërrohet në një shtet të varur nga ndihma sociale”, ka shtuar ai. Sipas njohësit të çështjeve ekonomike, një nga sfidat më urgjente mbetet rikthimi i besimit për investime në Kosovë dhe shfrytëzimi i potencialit të madh financiar që posedon diaspora. “Barazia në varfëri është më e keqja që i ndodh një shtetit dhe këtë Kosova duhet ta evitojë. Duhet të kthehet besimi i humbur për investime në Kosovë. Ne nuk duhet të presim që do të vijnë vetëm investitorë të huaj, por në radhë të parë ne duhet të krijojmë ambient për bizneset vendore. Ne duhet të kemi pako të veçanta për diasporën, sepse vetëm në hapësirën gjermanofolëse diaspora kosovare ka miliarda të deponuara. Prandaj janë këto mundësi që duhet të shfrytëzohen dhe, mbi të gjitha, të evitohet perceptimi negativ i krijuar në Kosovë dhe ndaj Kosovës në vitet e fundit, sepse vërtet ky negativitet po e ngulfat perspektivën dhe ardhmërinë e Republikës së Kosovës në çdo pore të jetës”, ka deklaruar ai. Gërxhaliu vlerësuar gjithashtu se gjatë viteve të fundit Kosova ka dështuar t'i shfrytëzojë si duhet mundësitë për të përfituar fonde nga Bashkimi Evropian dhe donatorët e tjerë, duke paralajmëruar se kjo qasje do të prodhojë pasoja të rënda ekonomike në të ardhmen. “Ajo çka është më e rëndësishmja për ardhmërinë e Kosovës është uniteti politik që Kosovës i ka munguar. E dyta është avancimi i partneritetit me miqtë ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me shtetet evropiane. Ajo çka është prioritet, duhet definitivisht ekonomia të jetë prioritet i prioriteteve, sepse vitet e fundit kemi pësuar një debakël ekonomik nga fakti që kemi pasur parametra ekonomikë dhe, në të njëjtën kohë, nuk kemi shfrytëzuar mundësi për të absorbuar mjete nga Bashkimi Evropian dhe donatorë të ndryshëm dhe për këtë vërtet do të paguajmë një kosto kolaterale në të ardhmen”, ka përfunduar ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar