Sport
Ndeshjet nën reflektorë transformojnë futbollin kosovar: Dyfishim i tifozëve dhe kushte më të mira për lojtarët
Reklamë e Sponsorizuar
Futbolli vendor ka hyrë në një epokë të re përmes zhvillimit të ndeshjeve nën dritën e reflektorëve, falë vendosjes së sistemeve moderne në disa arena sportive. Kjo nismë e ndërmarrë nga Federata e Futbollit të Kosovës nën emrin “Ndriçojmë Futbollin” deri më tani ka përfshirë stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Stadiumin e Qytetit në Gjilan, si dhe stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Kjo risi ka sjellë ndryshime rrënjësore në orarin e takimeve, ndërkohë që drejtuesit e klubeve kanë vlerësuar ndikimin e ndjeshëm që këto ndryshime po japin te mbështetësit dhe vetë lojtarët në fushën e blertë.
Duke folur në emër të Drenicës, kreu i klubit Halim Bajraktari ka theksuar se ballafaqimet e mbrëmjes kanë ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e numrit të shikuesve në shkallët e stadiumit krahasuar me periudhat e kaluara.
Bajraktari: Ndeshjet nën reflektorë sollën dyfish më shumë tifozë
“Po, të them të drejtën, numri i tifozëve ka qenë shumë, dyfish më i madh se herët tjera. Arsyeja pse është më i madh, kjo të kuptohet, është se nëse nuk është ditë pune, të gjithë ata që janë në punë, vijnë në kohën pasdite. Nëse janë temperatura shumë të larta, kjo ndikon shumë pozitivisht, pasi tifozët vijnë në mbrëmje, e kanë freskët, është tjetër atmosferë. Kemi pasur dyfishin (e tifozëve). Ne gjithherë kemi pasur shikues 500-700, kësaj radhe kanë qenë përmbi 1500 tifozë. Domethënë është dyfishi më i madh se herëve tjera”, tha ai.
Nga ana e tij, drejtuesi i skuadrës së Gjilanit, Drilon Sylejmani, vlerëson se përtej aspektit të audiencës, kalimi i ndeshjeve në orët e mbrëmjes përbën një mundësi të shkëlqyer për ngritjen e standardeve fizike për futbollistët.
Sylejmani: Zhvillimi i ndeshjeve në mbrëmje ka rritur performancën
“Gjë që është më e rëndësishme është edhe aspekti sportiv. Pasi që ne luajmë në një fushë sintetike dhe temperatura të larta, terminët e caktuar kohorë kanë sjellë vazhdimisht shqetësime te futbollistët. Ndërkohë tani që ndeshjet janë zhvilluar në mbrëmje, ka qenë pak më mirë për futbollistët dhe ndoshta performanca e tyre ka qenë në nivele pak më të larta”, tha Sylejmani.
Edhe strategu dhe njohësi i mirënjohur i futbollit në vend, Bylbyl Sokoli, e cilëson ndriçimin e fushave si një hap tejet të qëlluar.
Sokoli: Ta kemi parasysh temperaturën, ndriçimi ndikon pozitivisht te futbollistët
“Unë mendoj që ndriçimi ka sjellë një disponim të mirë te tifozët, futbollistët, sepse ndriçimi nuk ndikon vetëm te tifozët, por ndikon edhe te futbollistët, sepse ndryshe është një ndeshje e zhvilluar në 20 gradë, ndryshe është në 35 gradë. Këto janë probleme që duhet pasur parasysh, andaj duhet të kemi edhe ngritje të cilësisë. Sido që të jetë, është lëvizje e mirë ndriçimi i stadiumeve’,tha Sokoli.
Sa i përket përcaktimit të termineve të ndeshjeve, menaxheri i ekipit të Gjilanit, Drilon Sylejmani, ka bërë të ditur se ky vendim merret në bashkëpunim të ngushtë me shtëpinë e futbollit dhe televizionin që transmeton takimet.
Sylejmani: Orari i ndeshjeve në mbrëmje caktohet nga klubi, FFK dhe transmetuesi
“Klubi në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, si dhe me transmetuesin e ndeshjeve”,tha Sylejmani.
Përveç Klinës, Gjilanit dhe Skenderajt, listës së përfituesve nga ky projekt i rëndësishëm i infrastrukturore i është shtuar tashmë edhe Klubi i Futbollit të Ferizajt.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: