Botë
Alarmi i OBSH-së: Një në katër gra shtatzëna në Evropë konsumon alkool – Mjekët paralajmërojnë rreziqet për foshnjën
Reklamë e Sponsorizuar
Kontinenti evropian mban nivelin më të lartë të konsumit të alkoolit në botë, por veçanërisht shqetësues për ekspertët mbetet përdorimi i tij nga gratë gjatë periudhës së shtatzënisë. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 1 në 4 gra shtatzëna në Evropë – pjesë e së cilës është edhe Shqipëria – konsumon alkool. Mjekët specialistë paralajmërojnë se ky zakon sjell pasoja mjaft të rënda si për nënën, ashtu edhe për zhvillimin e fetusit.
Lidhur me këtë problematikë, obstetër-gjinekologja e spitalit "Koço Gliozheni", Diana Canaj, thekson nevojën për ndërprerje të plotë të pijeve alkoolike. "Rekomandimi është shmangia e plotë e alkoolit gjatë shtatzënisë duke qenë se alkooli kalon placentën dhe mund të arrijë tek fetusi. Në këto kushte ai krijon edhe efekte anësore, aborti spontan, lindje e parakohshme, anomali të ndryshme kongenitale", u shpreh Canaj.
Më tej, mjekja sqaroi rreziqet e mëtejshme për shëndetin e fëmijës: "Një kufizim në rritjen e bebit ka dhe probleme të tjera, anomali deri te ndryshimet neurologjike të bebit. Duke qenë se substanca kryesore është etanoli, ai kalon barrierën placentare...".
Përveç ndikimit te gratë shtatzëna, konsumimi i alkoolit te popullata e përgjithshme lidhet me një sërë rreziqesh për zhvillimin e sëmundjeve jo-të-transmetueshme, ku përfshihen patologjitë e mëlçisë, sëmundjet kardiovaskulare dhe forma të ndryshme të kancerit. Për më tepër, ai sjell pasoja negative në shëndetin mendor dhe shkakton çrregullime të sjelljes, si depresioni dhe ankthi. Alkooli është i klasifikuar si kancerogjen i njohur, dhe përdorimi i tij rrit ndjeshëm mundësinë e prekurjes nga kanceri i gjirit, mëlçisë, ezofagut, zonës së kokës dhe qafës, si dhe kanceri kolorektal.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: