Kronikë
Tragjedi në Pensilvani: Nëntë të vdekur nga të shtënat me armë zjarri, mes viktimave fëmijë dhe një grua shtatzënë
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbrëmjen e djeshme, pasi një person ka hapur zjarr brenda një banese në Pensilvani, duke lënë të vdekur nëntë persona, përfshirë dy fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Ngjarja nisi pak para orës 17:00 të ditës së premte, kur autoritetet policore morën një njoftim emergjent për të shtëna në Rrugën Perry, në periferi të qytetit të Erie-t. Sipas informacioneve nga terreni, efektivët e parë që mbërritën në vendngjarje gjetën dy gra të pajeta në rrugë, jashtë shtëpisë ku dyshohej se ndodhej agresori, ndërsa dëshmitarët panë një person duke qëlluar me armë përpara se të futej sërish brenda.
Sulmi u shndërrua shpejt në një operacion rrethimi dhe shpëtimi që zgjati për orë të tëra. Autori i armatosur me një pistoletë refuzoi të dorëzohej dhe u barrikadua brenda godinës, çka solli mobilizimin e forcave të shtuara të policisë dhe ndërhyrjen e një ekipi special SWAT. Gjatë përballjes, nga brenda ndërtesës u dëgjuan sërish breshëri armësh, ndërkohë që policia tentonte të komunikonte me të dyshuarin përmes altoparlantëve.
Kur forcat speciale arritën të depërtonin brenda banesës, u përballën me një pamje makabre, duke gjetur trupat e pajetë të shpërndarë në mjedise të ndryshme të shtëpisë. Mes viktimave u konfirmuan dy fëmijë dhe një grua shtatzënë, ndërsa autori i dyshuar u gjet i pajetë, me shenja që sugjerojnë se i ka dhënë fund jetës përmes vetëvrasjes.
Shefi i Policisë së Erie-t, Rick Laura, u shfaq tejet i tronditur gjatë një konference për media, duke ndarë me gazetarët peshën e kësaj ngjarjeje të rëndë. "Dua të jem i sinqertë me komunitetin tonë. Kjo është një nga skenat më të vështira dhe prekëse që oficerët dhe hetuesit tanë kanë hasur ndonjëherë," u express ai, duke shtuar se rrethanat janë thellësisht tronditëse dhe humbja e jetëve është e jashtëzakonshme.
Duke treguar respekt për familjet e viktimave, shefi i policisë nuk pranoi të jepte detaje shtesë rreth skenës brenda rezidencës, por garantoi se autori ka ndërruar jetë dhe se rreziku për banorët e zonës ka kaluar plotësisht. "Lutjet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë madhësinë e kësaj humbjeje," përfundoi ai.
Autoritetet njoftuan se ende nuk janë zbuluar identitetet e viktimave dhe as i autorit të dyshuar. Ndërkohë, motivet e këtij akti të tmerrshëm dhe natyra e marrëdhënies mes agresorit dhe viktimave mbeten ende plotësisht të panjohura, teksa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: