Botë
A do të largohet Erling Haaland nga Manchester City? Gjigantët evropianë vihen në lëvizje
Reklamë e Sponsorizuar
E ardhmja e Erling Haaland te Manchester City rrezikon të shndërrohet në kryefjalën e merkatos së ardhshme, pasi përfaqësuesit e sulmuesit norvegjez dyshohet se kanë nisur bisedimet paraprake me disa nga skuderat më të njohura në kontinent për një kalim të mundshëm.
Sipas raportimeve të gazetarit Juan Jesus, drejtuesit e Barcelonës dhe Bayern Munichut janë njohur tashmë me kushtet ekonomike të një marrëveshjeje potenciale, duke përfshirë këtu përfitimet financiare të lojtarit dhe shifrën e kërkuar për kartonin e tij.
Në anën tjetër, Real Madridi mbetet një vëzhgues i vëmendshëm i zhvillimeve rreth 26-vjeçarit, duke e ruajtur atë si një nga shënjestrat kryesore për të përforcuar repartin e sulmit në të ardhmen.
Sulmuesi nga Norvegjia vazhdon të jetë një nga emrat më të lakmuar në tregun futbollistik evropian, ndonëse çdo operacion për transferimin e tij do të kërkonte shifra astronomike, si për dëmshpërblimin e klubit, ashtu edhe për pagën e lojtarit.
Aktualisht nuk ekziston ndonjë konfirmim zyrtar për ndonjë propozim konkret apo për ndonjë akord të arritur mes palëve.
Pavarësisht kësaj, kontaktet e zbardhura me klubin katalanas dhe atë bavarez, shoqëruar me interesimin konstant të madrilenëve, paralajmërojnë se çështja e sulmuesit do të dominojë diskutimet e merkatos në muajt në vijim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: