Aktuale
Riviera shqiptare nuk njeh ndalesë, vizitorët e huaj mbushin Qeparonë edhe në zemër të vjeshtës
Reklamë e Sponsorizuar
Sezoni turistik në bashkinë e Himarës nuk mbyllet me largimin e verës, pasi lëvizja e turistëve vijon e pandërprerë edhe përgjatë muajit tetor, duke eksploruar fshatrat piktoreskë dhe bregdetin e mrekullueshëm jugor të vendit.
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, bëri të ditur se lëvizja e turistëve vazhdon edhe pas përfundimit të muajve të nxehtë, çka vërteton qartë se rajoni ka potencialin e duhur për të pritur vizitorë gjatë gjithë vitit.
Ndër pikat më të preferuara mbetet fshati i Qeparoit, i cili vazhdon të mirëpresë udhëtarë vendas dhe të huaj, qofshin ata që e vizitojnë për herë të parë apo vizitorë të përhershëm që kthehen sërish për të shijuar atmosferën e tetorit.
Eksplorimi i këtij fshati shoqërohet gjithmonë me ndjesinë e zbulimit pas çdo kthese, ku çdo hap ofron pamje magjepsëse që derdhen drejt detit.
“Qeparoi, me rrugicat karakteristike, arkitekturën tradicionale dhe peizazhin e ndërthurur me detin, përbën një nga destinacionet e rivierës shqiptare që tërheq vizitorët në çdo stinë”, u shpreh Tavo.
Kryebashkiaku vuri në dukje se “Himara ka frekuentim në rritje gjatë vjeshtës, por ajo dhe fshatrat e saj kanë kapacitete të jashtëzakonshme për një turizëm gjithëvjetor. Përveç plazheve dhe detit, që mbeten një nga atraksionet kryesore gjatë verës, zona ofron mundësi për turizëm kulturor, historik, natyror dhe gastronomik në çdo stinë”.
Vendbanimet tradicionale si Qeparoi, Vunoi, Dhërmiu dhe Piluri, të pasura me arkitekturë unike, histori, tradita dhe mikpritje të ngrohtë, shfaqin një aset të çmuar për turizmin jashtë muajve të verës.
Shetitjet në kalldrëmet e vjetra, zbulimi i natyrës malore, shtigjet e ecjes, shijimi i ushqimeve tradicionale dhe njohja nga afër me kulturën e zonës u dhurojnë vizitorëve emocione të paharrueshme gjatë gjithë vitit.
“Ne synojmë që Himara të mos perceptohet vetëm si një destinacion veror, por si një zonë që ka çfarë t’u ofrojë vizitorëve në çdo stinë. Zgjatja e sezonit turistik sjell mundësi të reja për ekonominë lokale, mbështet bizneset dhe agroturizmin, si dhe krijon më shumë hapësira për punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm për komunitetin”, theksoi Tavo.
Territori i Himarës dhe fshatrat përreth përfaqësojnë një thesar të vërtetë gjeografik dhe historik, ku mali dhe deti bashkohen në një harmoni të rrallë. Të apasionuarit pas udhëtimeve mund të shijojnë vijën bregdetare të Jonit, shkëmbinjtë dhe shpellat e fshehura, kalatë e lashta të Himarës, Porto Palermos dhe Borshit, trashëgiminë e pasur shpirtërore të kishave me vlera, si dhe kanionet e thella e shtigjet malore për turizëm aventure.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: