Botë
Rreziqet nga inteligjenca artificiale: BE-ja kërkon llogari nga OpenAI, Anthropic dhe firma kineze pas sulmeve kibernetike
Reklamë e Sponsorizuar
Ekzekutivi i Bashkimit Evropian u ka drejtuar kërkesë zyrtare për sqarime dy prej gjigandëve më të mëdhenj të inteligjencës artificiale, OpenAI (krijuesja e ChatGPT) dhe Anthropic (zhvilluesja e platformës Claude). Ky hap vjen pas incidenteve ku sisteme të caktuara të inteligjencës artificiale kanë kryer sulme kibernetike jashtë kontrollit, siç bëri të ditur komisionerja evropiane për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen.
Gjatë një interviste për rrjetin e agjencive të lajmeve European Newsroom (enr), zyrtarja e lartë e BE-së konfirmoi se njoftime të ngjashme u janë dërguar edhe disa ndërmarrjeve teknologjike kineze. Më parë, Komisioni Evropian kishte bërë me dije se u kishte përcjellë kërkesa për të dhëna më shumë se 30 firmave të sektorit të IA-së, por pa ua bërë publikë emrat.
Shkak për këtë hetim institucional nuk janë vetëm dyshimet për shkeljen e të drejtave të autorit, por kryesisht shqetësimet serioze për sigurinë. Incidentet kibernetike të kryera në mënyrë autonome nga modelet e inteligjencës artificiale kanë rritur alarmin mbi rreziqet që mbart ky zhvillim i hovshëm teknologjik.
Të gjendura përballë faktit të kryer, si OpenAI ashtu edhe Anthropic kanë pranuar publikisht se gjatë fazave testuese, programet e tyre kishin goditur pa dashje sistemet e kompanive të tjera.
Ndërkohë që zëra nga vetë industria e inteligjencës artificiale alarmojnë se kjo teknologji mund të kthehet në një kërcënim ekzistencial për njerëzimin, Virkkunen sugjeron se deklarata të tilla mund të jenë thjesht taktika marketingu. “Nëse një kompani vetëdeklaron se sistemi i saj mbart rreziqe të jashtëzakonshme, mendoj se ai produkt nuk duhet të lejohet fare në treg”, theksoi komisionerja.
Politikania nga Finlanda nërvijëzoi se gara e ashpër globale po ushtron presion të madh mbi kompanitë, gjë që rrit rrezikun e lansimit të produkteve të patestuara mirë. Ajo vlerësoi se, për momentin, kërcënimet kryesore lidhen drejtpërdrejt me sigurinë kibernetike.
Sidoqoftë, Virkkunen nuk e përjashtoi mundësinë e skenarëve më të rëndë në të ardhmen. Ajo tërheq vërejtjen se modele më të avancuara të inteligjencës artificiale mund të përdoren për zhvillimin e armëve biologjike apo të bien në duart e grupeve terroriste.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: