Aktuale
Ndryshim i rëndësishëm në Zvicër: Nis pagesa e pensionit të 13-të të AHV-së nga dhjetori – udhëzuesi i plotë për përfituesit
Reklamë e Sponsorizuar
Të gjithë qytetarët që gëzojnë të drejtën e pensionit të pleqërisë në Zvicër do të marrin automatikisht për herë të parë këstin shtesë të vitit gjatë muajit dhjetor. Sipas të dhënave zyrtare nga Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore (BSV), ky përfitim pritet të arrijë te rreth 2,6 milionë persona.
Për të përfituar nga kjo pagesë nuk kërkohet asnjë procedurë aplikimi, pasi kalimi i mjeteve bëhet drejtpërdrejt bashkë me pensionin e zakonshëm të dhjetorit. Shuma përcaktohet si një e dymbëdhjeta e shumës totale të pensioneve të pleqërisë të marra përgjatë vitit. Kjo vlerë mund të ndryshojë nëse gjatë muajve të kaluar ka pasur lëvizje në masën e pensionit, ndërsa shtesat për fëmijë dhe ndihmat e tjera të ngjashme mbeten jashtë këtij përllogaritjeje.
E drejta e përfitimit i takon çdo personi që kualifikohet për pension pleqërie në dhjetor. Në anën tjetër, pensionet për të vejat, të vejtë, jetimët si dhe ato të invaliditetit nuk përfshihen në këtë skemë dhe do të vijojnë të shpërndahen 12 herë në vit. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se pensioni i 13-të nuk do të llogaritet si e ardhur gjatë vlerësimit për ndihmat plotësuese (EL), por konsiderohet e ardhur e tatueshme, çka do të thotë se efekti i tij në taksa do të varet nga rrethanat financiare të secilit individ.
Lajmi është i rëndësishëm edhe për bashkatdhetarët tanë. Falë marrëveshjes për sigurimet shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, e cila është në fuqi që nga 1 shtatori 2019, shtetasit e Kosovës që përmbushin kriteret mund ta marrin pensionin AHV edhe nëse jetojnë në Kosovë, me kusht që të mos kenë tërhequr më parë kontributet e tyre. Personat me vendbanim në Kosovë që gëzojnë të drejtën e pensionit të pleqërisë në dhjetor do ta marrin shtesën automatikisht, ndërsa për çdo sqarim shtesë mbi mënyrën e pagesës mund të kontaktojnë Arkën Zvicerane të Kompensimit (SAK).
Në aspektin financiar, pensioni i 13-të do t’i kushtojë arkës së AHV-së fillimisht mbi 4 miliardë franga zvicerane në vit. Për mbulimin e kësaj kostoje, Parlamenti ka propozuar rritjen e Taksimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), vendim i cili do t'u nënshtrohet votuesve.
Më 29 nëntor 2026, qytetarët me të drejtë vote – përfshirë edhe shtetasit zviceranë me origjinë shqiptare – do të vendosin nëse norma standarde e TVSH-së do të ngrihet nga 8,1% në 8,5%. Nëse propozimi kalon, rritja pritet të zbatohet më së herëti nga viti 2028, duke i gjeneruar AHV-së rreth 1,4 miliardë franga shtesë në vit që nga viti 2029. Fondet për pagesat e viteve 2026 dhe 2027 nuk varen nga ky ndryshim.
Ndryshimi i tarifës nuk do të prekë të gjitha produktet: norma e reduktuar e TVSH-së për mallrat bazë si ushqimet, barnat, librat, gazetat dhe revistat do të mbetet e njëjtë. Në rast se votuesit e refuzojnë rritjen e TVSH-së, pensioni i 13-të do të paguhet gjithsesi, ndërsa financimi i tij do të kërkojë zgjidhje të tjera alternative. Procesi i votimit të 29 nëntorit lidhet ekskluzivisht me financimin e AHV-së dhe nuk ka të bëjë me buxhetin e ushtrisë.
Këshilli Federal ka rekomanduar votimin pro rritjes së TVSH-së, ndërsa kritikët pretendojnë se masa do të dëmtojë fuqinë blerëse të popullsisë dhe se qëndrueshmëria e AHV-së duhet të rregullohet përmes një reforme më të gjerë. Ndërkohë, çështja e mjetrave për armatimin e ushtrisë po trajtohet si proces më vete: pas propozimit të Këshillit Federal për rritje të përkohshme të TVSH-së me 0,5 pikë përqindjeje, Këshilli i Shteteve mbështeti një rritje më të ulët prej 0,2 pikësh të plotësuar nga buxheti federal, projekt ky që do të shqyrtohet nga Këshilli Kombëtar gjatë sesionit dimëror.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: