Sport
Përplasja Kosovë-BE për Dhomat e Specializuara: Eksperti austriak Fehlinger alarmon Brukselin – “Mos e barazoni viktimën me agresorin”
Reklamë e Sponsorizuar
Vërejtjet e fundit të Bashkimit Evropian lidhur me amendamentet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës për Dhomat e Specializuara kanë nxitur reagime të shumta në rrethet diplomatike. Blloku evropian ka vlerësuar se këto ndryshime ligjore mund të bien ndesh me zotimet ndërkombëtare të Prishtinës, duke kërkuar ruajtjen e paprekshme të mandatit dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.
Lidhur me këtë situatë, eksperti i njohur austriak Gunther Fehlinger-Jahn, njëkohësisht kryetar i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO-s, thekson se megjithëse pavarësia e sistemit të drejtësisë përbën një shtyllë demokratike, Brukseli nuk duhet ta shkëpusë procesin gjyqësor nga konteksti historik i luftës çlirimtare.
Fehlinger nënvizon se mospërputhjet aktuale ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe BE-së duhet të adresohen përmes dialogut konstruktiv dhe rrugëve kushtetuese, pa cenuar perspektivën euroatlantike të vendit.
“Kam ndjekur me shqetësim të thellë qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj ndryshimeve të votuara nga Kuvendi i Kosovës për Dhomat e Specializuara. Më 8 tetor, BE-ja deklaroi se këto amendamente bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të vendit dhe këmbënguli në respektimin e plotë të mandatit, pavarësisë dhe sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve. Unë i përmbahem me respekt parimit të drejtësisë së pavarur dhe përgjegjësisë individuale penale, pasi ato janë thelbësore për çdo demokraci. Megjithatë, Evropa duhet ta kujtojë edhe kontekstin historik: Kosova ishte viktima, ndërsa Serbia e Millosheviqit agresori”, deklaroi Fehlinger.
Eksperti austriak risjell në vëmendje se gjatë viteve 1998–1999, popullsia shqiptare e Kosovës u përball me vrasje masive, përndjekje dhe dëbim sistematik nga aparati shtetëror serb e jugosllav — krime për të cilat gjykatat ndërkombëtare tashmë kanë konfirmuar përgjegjësinë penale të zyrtarëve të lartë të Beogradit.
Sipas tij, pavarësisht terminologjisë që përdoret në debatin politik, Evropa nuk duhet kurrsesi të mjegullojë kufirin ndërmjet popullatës që pësoi dhunën masive shtetërore dhe makinerisë shtetërore që e ushtroi atë dhunë.
Fehlinger paralajmëron se proceset gjyqësore duhet të mbahen strikt mbi përgjegjësinë individuale dhe të mos krijojnë përshtypjen se lufta çlirimtare e Kosovës po trajtohet si përgjegjësi kolektive.
“BE-ja nuk mund të japë përshtypjen se lufta çlirimtare e Kosovës është kthyer në problemin kryesor penal të viteve ’90, ndërkohë që Serbia po paraqitet gjithnjë e më shumë si një partnere e zakonshme, përgjegjësia e së cilës konsiderohet çështje e mbyllur. Kjo do të përbënte një përmbysje të vetë drejtësisë evropiane. Prandaj, i bëj thirrje Brukselit që mosmarrëveshjen me Kosovën të mos e trajtojë thjesht si çështje teknike kontraktuale, por të kuptojë pabarazinë e thellë historike në sfond”, nënvizoi ai.
Në përmbyllje, eksperti austriak rikujton se vetë Dhomat e Specializuara u themeluan nga Kuvendi i Kosovës në rrethana specifike dhe nën trysni të madhe ndërkombëtare. Ndryshimet e fundit ligjore, sipas tij, nuk synojnë shfuqizimin e këtij institucioni, por ndërlidhen me përshtatjen e mandatit, afateve kohore, dënimeve dhe modaliteteve të trajtimit të lëndëve.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: