Politikë
Tragjedia në Gjilan, Vjosa Osmani: Institucionet s’duhet të presin vdekjen e grave për të reaguar
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas ngjarjes tronditëse në Gjilan, ku një grua dhe vëllai i saj u privuan nga jeta nga bashkëshorti i viktimës.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka shprehur tronditjen e thellë për këtë akt makabër, duke kërkuar llogaridhënie institucionale dhe hapa konkretë drejt parandalimit të dhunës me bazë gjinore.
“Një shoqëri që vajton pas çdo vrasjeje, por nuk arrin ta ndalë dhunën para se të jetë tepër vonë, duhet të përballet me përgjegjësinë e saj”, ka shkruar ajo.
Politikania ka bërë thirrje që instancat shtetërore të mos i anashkalojnë kurrë sinjalet e alarmit, kërcënimet dhe rastet e denoncuara të dhunës, duke theksuar se ndërhyrja duhet të ndodhë para se konflikti të shndërrohet në tragjedi.
“Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen. Kërcënimet nuk duhet të përfundojnë në arkiv, e dhuna nuk duhet të përfundojë në varreza”, ka shtuar tutje ajo në reagimin e saj.
Në mbyllje të mesazhit, Osmani ka kërkuar vendosjen e drejtësisë për viktimat dhe llogaridhënie për çdo lëshim të mundshëm institucional, duke kërkuar angazhim real në terren e jo thjesht deklarata boshe.
“Drejtësi për viktimat. Përgjegjësi për çdo dështim. Veprim, jo fjalë. Asnjë jetë më pak! Asnjë justifikim më shumë!”, ka përfunduar ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: