Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Epoka e re në Presidencë: Çfarë pritet nga mandati i Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit?

Redaksia Lajmetereja • 09-10-2026 10:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Epoka e re në Presidencë: Çfarë pritet nga mandati i Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit?
Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, e konkretizuar me 51 vota, ka mbyllur përfundimisht ngërçin e gjatë politik, duke shmangur kështu mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme. Pas një periudhe të tensionuar politike, sytë e opinionit publik dhe aktorëve vendorë janë drejtuar nga sfidat që e presin kreun e ri të shtetit, veçanërisht në mbarëvajtjen e institucioneve, harmonizimin e marrëdhënieve ndërpartiake dhe përfaqësimin e jashtëm të Republikës së Kosovës. Analistët dhe njohësit e rrethanave politike theksojnë se ngjitja e Shiroka-Pulës në krye të shtetit mund të sjellë një kthesë pozitive drejt stabilitetit institucional dhe uljes së fërkimeve politike. Përvoja e saj e gjatë akademike dhe publike konsiderohet si një aset i rëndësishëm për të krijuar një frymë më konstruktive mes subjekteve politike, si dhe për të forcuar partneritetin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë. Në një prononcim lidhur me këtë zhvillim, publicisti dhe analisti politik Ismail Muqiqi e ka cilësuar këtë moment si historik për stabilitetin e vendit, duke i thurur elozhe personalitetit dhe karrierës së presidentes së re. “Është fat i mirë për Republikën e Kosovës, për institucionet e shtetit, për qytetarët e këtij vendi që më në fund u zgjodh Presidentja e Kosovës Justina Shiroka-Pula. Pas ngjarjeve dramatike që ndodhën përmes bllokadave të partive politike dhe protestave të ndihmuara nga një numër i të ashtuquajturve gazetarë që punojnë në disa mjete të informimit e të cilët i fryn zjarrit që të krijohet mjegull dhe kaos në Kosovë më në fund mbizotëroj arsyeja e deputetëve për ta zgjedhur kreun e institucionit më të lartë të shtetit”, ka theksuar Muqiqi. Më tej, ai ka shprehur besimin e plotë se profili i saj multidimensional do të shërbejë si një urë lidhëse për të ulur tensionet dhe për të kthyer normalitetin në skenën politike vendore. “Mendoj se Justina Shiroka-Pula ka një profil të begatshëm intelektual, shkencorë e politikë dhe pa asnjë dyshim do të jetë në shërbim të avancimit dhe ndërtimit të raporteve normale ndërmjet partive politike dhe do të jetë urë lidhëse në normalizimin e gjendjes politike dhe institucionale në Kosovë”, u shpreh ai. Muqiqi gjithashtu vuri inatin personal të politikanëve në sfond, duke shpresuar se bagazhi i presidentes do të shërbejë për të afruar sërish liderët e ndarë nga interesat partiake. “Po ashtu, vlerësoj se Presidentja e zgjedhur me bagazhin e saj intelektual dhe me përvojën e gjatë te saj në jetën publike do të kontribuoj në përafrimin e raporteve ndër njerëzorë të rivalëve politikë që u rrënuan kohë më pare për shkak të interesave personale e parciale për të ardhurat në pushtet”, shtoi ai. Në rrafshin e diplomacisë, ai pret që shefja e re e shtetit të luajë një rol aktiv në arenën ndërkombëtare. “Justina Shiroka-Pula shpresoj se do ta luaj rolin e saj si Presidente e vendit edhe në avancimin e Kosovës në raportet diplomatike me institucionet ndërkombëtare të shteteve të Bashkimit Evropian, të SHBA-së dhe më gjerë”, përfundoi Ismail Muqiqi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Hapësirë Reklamuese
Më Shumë Lajme në Telegram

Ndiqni kanalin tonë për njoftime të shpejta të lajmeve më të rëndësishme në kohë reale.

Bashkohu Tani
Reklamë
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar